Lajme

« Prapa

AKK, takim me Agjencinë për Barazi Gjinore

Me qëllim të informimit të ndërsjellët rreth aktiviteteve të institucioneve respektive dhe për të identifikuar fushat e interesit të përbashkët ku ky bashkëpunim do të mund të intensifikohej, zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kadastrale të Kosovës z-nja Afërdita Thaçi ka mbajtur një takim pune me Kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore z-njën Edi Gusia. Fokus i këtij takimi ishte avancimi i të drejtave të gruas në përgjithësi si dhe përfshirja e gruas në shfrytëzim të të drejtave pronësore në veçanti. Po ashtu, si rekomandim i përbashkët nga ky takim doli edhe propozimi rreth masës afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve pa pagesë, respektivisht u propozua që kjo masë afirmative mos të jetë e përkohshme por e njëjta të rregullohet me Udhëzim Administrativ tël përhershëm, sidomos nëse merret parasysh ndikimi që e njëjta ka pasur në ngritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Po ashtu, në takim u propozua një bashkëpunim më i avancuar në faza të ndryshme të implementimit të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër, huamarrje kjo nga Banka Botërore e në kuadër të së cilit projekt parashihet implementimi i dhjetëra aktiviteteve nga të cilat përfituese mund të jenë edhe gratë.