Lajme

« Prapa

AKK, takim pune për gjeneralizimin hartografik

Me qëllim të diskutimit mbi ecurinë e implementimit të projektit të financuar nga JICA japoneze "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë" në përgjithësi dhe për fazën e dytë të trajnimit të ekspertëve të AKK-së që në mënyrë të pavarur ta bëjnë përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme në veçanti, Zëvendësuese Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kadastrale të Kosovë z-nja Afërdita Thaçi priti në takim pune ekspertin e hartografisë të JICA-s z. Kohei Isobe. 
Në takim u diskutua rreth ecurisë së projektit dhe trajnimit, sfidat me të cilat eventualisht është duke u ballafaquar implementimi i projektit dhe mbarëvajtja e trajnimit, pastaj menaxhimi i projektit sipas periudhës kohore të paraparë, përfitimi nga shfrytëzimi ndërinstitucional i hartës topografike 1: 250000, krijimi i gjeodatabazave të hartave në shkallë të ndryshme duke iu referuar rregullores për simbolizimin e hartës topografike me shkallë të zvogëlimit 1:250000, përmasat dhe dizajni i fletës se hartës  topografike 1: 250000, etj. 
Në këtë takim z-nja Afërdita Thaçi ofroi përkrahjen institucionale për ekspertët e JICA e ata të AKK-së, krejt me qëllim që produkti final të jetë i kualitetit të lartë nga i cili do të përfitojnë institucionet e ndryshme publike e private të cilat kanë nevojë për produkte hartografike. 
Përndryshe, z-nja Thaçi në takim ishte e shoqëruar nga ekspertë të hartografisë dhe GIS-it në AKK, respektivisht z. Avni Rrustemi dhe z. Amir Reçica, të cilët edhe janë duke iu nënshtruar trajnimit në fjalë.