Lajme

« Prapa

Eurogeographics, takim për Hartën Euro Regjionale

Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i përbërë nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe eksperti i Hartografisë në AKK z. Avni Rrustemi, ka marrë pjesë në takimin teknik të prodhuesve të të dhënave gjeohapësinore për Hartën Euro Regjionale e cila është duke u prodhuar dhe mirëmbajtur në kuadër të Eurogeographics-it. Qëllimi i këtij takimi teknik të ofruesve të të dhënave gjeohapësinore për hartën evropiane ishte identifikimi i të dhënave që mund të pasurojnë hartën evropiane ndërsa delegacioni i AKK-së pos që prezantoi hartën e saj të re topografike 1:250.000, këtë produkt ia bashkëngjiti vargut të produkteve gjeohapësinore të Republikës së Kosovës të paraqitura në Hartën  Euro Regjionale. Po ashtu, punëtoria e mbajtur në Bruksel gjatë kësaj jave, u shfrytëzua edhe për disa takime mes përfaqësuesve të AKK-së me ata të Eurogeographics-it, respektivisht u mbajt një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Eurogeographics z-njën Lea Bodossian, gjatë të cilit takim pos që u vlerësuan të arriturat e AKK-së në prodhimin e të dhënave gjeohapësinore konform standardeve europiane, po ashtu u identifikuan edhe fushat e interesit të përbashkët ku bashkëpunimi në të ardhmen do të mundej të intensifikohej. Po ashtu, në kuadër të grupeve punuese përfaqësuesit e AKK-së mbajtën diskutime teknike me përfaqësues të autoriteteve hartografike nga Austria, Sllovenia etj, me të cilët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral për produkte tjera për Hartën Euro Regionale  në fushën e hidrografisë, infrastrukturës, vegjetacionit etj. Përndryshe, Eurogeographics është institucion që përfaqëson një komunitet evropian prej 63 organizatave nga 46 shtete, nën ombrellën e të cilit bëjnë pjesë institucionet shtetërore evropiane për kadastër dhe hartografi, dhe ekspertët më me renome në këto fusha. Kjo organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse ka si vizion që të ofroj për të gjithë përdoruesit një pikë të vetme referuese për shërbime dhe të dhëna gjeohapsinore të harmonizuara dhe autoritative.