Lajme

« Prapa

Ministri Aliu viziton AKK, diskutim mbi projektin REGIP

Agjencia Kadastrale e Kosovës është përfituese e projektit për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër dhe për infrastrukturën gjeohapësinore në Republikën e Kosovës (akronimi nga anglishtja - REGIP), huamarrje kjo nga Banka Botërore. 
Në kuadër të këtij projekti brenda katër komponentëve kryesore, respektivisht komponentit për politikat, mbështetjen ligjore dhe institucionale, komponenti për modernizimin e kadastrit, komponenti për teknologjinë e informacionit dhe infrastrukturën gjeohapësinore dhe komponenti për menaxhimin e projektit, ndërtimin e kapaciteteve, informimin publik dhe monitorimin dhe vlerësimin, janë paraparë dhjetëra aktivitete  kapitale që do të avancojnë fushën e kadastrës dhe gjeoinformacionit. 
Për të prezantuar aktivitetet e këtij projekti, me datë 14 Korrik 2021 në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu, Shefes së kabinetit të Ministrit z-njës Rineta Jashari, Zëvendësuese Drejtoreshës së Përgjithshme në AKK z-njës Afërdita Thaçi dhe Udhëheqësit të Njësisë për Implementimin e Projekteve në AKK z. Muzafer Çaka. 
Në takim përmes diskutimeve interaktive u prezantuan projektet, rezultatet e pritura nga implementimi i tyre dhe sfidat eventuale me të cilat implementimi i projekteve mund të ballafaqohet, u diskutua mbi mënyrat për tejkalimin e sfidave e ngjashëm. Si rekomandim i përgjithshëm nga takimi, z. Aliu propozoi gjithëpërfshirje sa më të madhe profesionale para fillimit të implementimit të projekteve kapitale. 
Për këtë, u propozua që në muajin Shtator të mbahet një punëtori gjithëpërfshirëse ku do të diskutohej mbi këto projekte dhe ku do të kërkohej jo vetëm përfshirja por edhe kontributi i profesionistëve me qëllim të implementimit sa më të suksesshëm të projekteve dhe që përfitimi i qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës të jetë sa më i madh.