Lajme

Punëtori: Përmirësimi i Listës së Votuesve organizuar nga KQZ

Ndër segmentet e rëndësishme në organizmin e procesit zgjedhor është edhe krijimi i listës së votuesve, e që nënkupton caktimin e votuesve në qendrat e votimit. Përmirësimi i listës së votuesve është njëri ndër proceset më të rëndësishme të KQZ-së, ndërsa një faktor që ndikon në përmirësimin e listës votuese është edhe ndërlidhja e Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave. 
Procesi i ndërlidhjes së Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave është rekomandim edhe nga Misioni Observues Evropian për procesin zgjedhor dhe reformën zgjedhore. KQZ duke i përdorur të dhënat zyrtare të Adresave nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ka krijuar Sistemin e GIS për nevoja të KQZ-së dhe ka krijuar Zonat e Qendrave të Votimit, duke u bazuar në po këto të dhëna zyrtare të adresave. Krimi i Zonave të Qendrave të Votimit duke u bazuar në adresat zyrtare dhe ndërlidhja e Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave ndikojnë në përmirësimin e Listës Votuese duke zvogëluar distancën e qytetarëve nga adresa e banimit tek qendra e votimit. 
Për këtë qëllim KQZ me mbështetje nga OSBE, me datë 13 Korrik ka organizuar punëtorinë për përmirësimin e Listës Votuese, në të Cilën kanë marrë pjesë Kryetari i KQZ-së, Anëtarët e KQZ-së, Përfaqësues të OSBE-së, Kryeshefi dhe zyrtarët e SKQZ-së, Drejtori dhe zyrtarët e ARC-së dhe Zëvendës Drejtoresha e Përgjithshme e AKK-së z-nja Afërdita Thaçi. Në Punëtori, AKK ka prezantuar rezultatet e arritura përkitazi me Sistemin e Adresave ne Kosovë, duke përfshirë Kornizën ligjore dhe rishikimin e saj, të dhënat e adresave dhe përditësimin e tyre (22.000 rrugë dhe 460.000 pika të adresave), aktivitetet që AKK ka ndërmarr përkitazi me ndërlidhjen e Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave, planifikimin dhe realizmin e projektit për Kompletimin e Sistemit të Adresave nga Banka Botërore, përgatitjet për pilot projektin në komunën e Istogut dhe Mitrovicës Jugore për ndërlidhjen e Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave etj. 
Në punëtori, pjesëmarrësit u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë që të lehtësohet procesi i ndërlidhjes dhe të identifikohen sfidat, në mënyrë që të adresohen ato. Si sfidë të cilën AKK paraqiti, ishte mos përditësimi i të dhënave të adresave nga ana e komunave, përgjegjësi e së cilave është ky proces dhe njëherit AKK rekomandon që të fillohet ndërlidhja e dy sistemeve edhe pse të dhënat nuk janë të përditësuara, sepse kjo nuk është pengesë për mos fillimin e këtij procesi.