Lajme

« Prapa

REGIP: Delegacion i Bankës Botërore viziton AKK-në

Me qëllim të diskutimit të ecurisë së aktiviteteve në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore (REGIP), huamarrje kjo nga Banka Botërore, një delegacion dy anëtarësh i ekipit të Bankës Botërore për implementimin e këtij projekti, respektivisht Udhëheqësi i Ekipit z. Paul Prettitore dhe Bashkëudhëheqësi i këtij ekipi z. Caleb Travis Johnson kanë qëndruar në vizitë katër ditore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK). Ekipi i Bankës Botërore në këto takime u prit nga Zëvendësuese Drejtorja Ekzekutive e AKK-së z-nja Afërdita Thaçi dhe nga Drejtorët e Drejtorive të AKK-së. Gjatë kësaj vizite, ekspertët e AKK-së bënë një pasqyrim të gjendjes faktike në lidhje me aktivitetet e parapara në kuadër të projekti REGIP, me theks të veçantë aktivitetet kapitale si Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale, Aerofotografimi i Territorit të Republikës së Kosovës, implementimi i Sistemit të Unifikuar të Adresave, Ri-inxhinjerimi i Zyrave Kadastrale Komunale etj., si dhe u pasqyruan planet dinamike për implementim të këtyre projekteve, duke mos lënë anash as sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar ekspertët e AKK-së në këtë fazë fillestare të implementimit të aktiviteteve. Boshti i diskutimeve ishte rreth fillimit të aktiviteteve të prokurimit për projektet kapitale, avancimi i kapaciteteve profesionale e teknologjike në AKK, avancimi i kornizës ligjore që do të mundësonte maksimalizim të përfitimeve nga implementimi i projekteve dhe gjithpërfshirja sociale në avancim të shfrytëzimit të të drejtave pronësore. Duke e ditur se shumë nga këto aktivitete kërkojnë edhe një bashkëpunim ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, ekspertët e Bankës Botërore të shoqëruar nga pëfaqësues nga Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë, patën edhe takime me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, respektivisht me zv. Ministren e kësaj Ministria z-njën Linda Çavdarbasha dhe Këshilltaren e Ministrit z. Liburn Aliu, z-njën Gearda Demiraj, si dhe me përfaqësues të OJQ Femrat Aktive të Gjakovës. Në këto takime u diskutua edhe rreth metodave të avancuara të bashkëpunimit, krejt me qëllim që përfitimi nga ky projekt të jetë konkret për secilën palë të interesit.