Lajme

« Prapa

Sistemi i Unifikuar i Adresave dhe ndërlidhja e regjistrit të adresave me regjistrin civil

Agjencia Kadastrale e Kosovës në kuadër të implementimit të Projektit për Regjistrimin e Pronës në Kadastër dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore ka paraparë edhe përfundimin e implementimit të Sistemin e Unifikuar të Adresave dhe ndërlidhjen e regjistrit të adresave me regjistrin civil.
Me qëllim të informimin për së afërmi me ecurinë e projektit në fjalë, me benefitet nga implementimi tij dhe me sfidat me të cilat ky projekt ballafaqohet Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu dhe Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveqla kanë mbajtur një takim pune me ekspertë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të prirë nga Zv. Drejtorja e Përgjithshme z-nja Afërdita Thaçi dhe me zv. Drejtorit e Përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrit Civil z. Blerim Camaj.
Në këtë takim eksperti i AKK-së në fushën e adresave z. Amir Sogojeva prezantoi të arriturat e gjertanishme në fushën e adresave, respektivisht kompletimin e emrave të rrugëve dhe numrave të adresave me tabela në komunat dhe përfundimit e këtij aktiviteti në komunat e mbetura, mbledhjen dhe përditësimin e të dhënave të adresave (rrugëve, numrave të hyrjeve, adresimet e brendshme), ndërlidhjen e Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave dhe listoi sfidat me të cilat implementimi i këtij projekti po ballafaqohet e që kryesisht janë rezistimi i implementimit të projektit nga autoritetet e Komunave Leposaviq, Zveqan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, pastaj mosmirëmbajtja e rregullt e sistemit të adresave nga Komunat, mungesa e stafit në komuna e ngjashëm.
Sa i përket ndërlidhjes së regjistrit të adresave me regjistrin civil Ministrat Aliu dhe Sveçla u njoftuan edhe me pilot projektin që me përkrahje të GIZ-it gjerman do të implementohet në Komunën e Mitrovicës dhe atë të Istogut e i cili më pas, varësisht të gjeturave, do të pasohet në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Duke e konsideruar këtë projekt si të rëndësisë kapitale për qytetarët e Republikës së Kosovës të cilëve u mundësohet ofrimi i shërbimeve të shpejta e kualitative dhe për institucionet e Republikës së Kosovës, e me theks të veçantë ato në fushën e sigurisë, menaxhimit të situatave emergjente, fatkeqësive të natyrave të ndryshme dy Ministrat pos që ofruan përkrahje në implementim të tij kërkuan edhe propozime profesionale se si mund të avancohet para që projekti të implementohet në mënyrë të shpejtë edhe në mënyrë kualitative.