Lajme

« Prapa

Struktura organizative dhe gjeoinformacioni, Ministri i MMPHI vizitë në AKK

Në kuadër të angazhimeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) rreth organizimit të MMPHI, me datë 20 gusht në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) është mbajtur një takim pune mes Ministrit të MMPHI z. Liburn Aliu me bashkëpunëtorë dhe Zëvendësuese Drejtoreshës Ekzekutive të AKK z-njës Afërdita Thaçi po ashtu e shoqëruar nga bashkëpunëtorët. Qëllimi i këtij takimi ishte që z. Aliu të njoftohet për së afërmi me sfidat organizative me të cilat ballafaqohet kjo Agjenci dhe të dëgjojë idenë e Agjencisë se cila do të ishte forma më e mirë e funksionimit të AKK sipas tyre. Në këtë pjesë të takimit u diskutua rreth sfidave që rezultojnë nga zgjerimi konstant i mandatit dhe përgjegjësive të AKK-së me detyra shtesë nga njëra anë dhe nevoja për ekspertizë shtesë për të ushtruar këtë mandat me sukses. Z. Aliu kërkoi që një përfaqësues i Agjencisë Kadastrale të Kosovës të përfshihet në grupet e Ministrisë që merren me strukturimin organizativ me qëllim që të merren parasysh edhe interesat edhe specifikat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Pjesa e dytë e takimit iu kushtua infrastrukturës së të dhënave hapësinore e cila është duke u koordinuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa për këtë z. Aliu kërkoi që të avancohet në koordinimin ndërinstitucional mes prodhuesve të të dhënave gjeohapësinore, krejt me qëllim që të njëjtat të jenë të qasshme në çdo kohë e për çdo kënd.