Agjencia Kadastrale e Kosovës

Mandati dhe përgjegjësitë

Agjencia Kadastrale e Kosovës është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për hartografi dhe GIS, për sistemin e unifikuar të adresave, për infrastrukturën kombëtare të informacioneve hapësinore dhe për administrimin e Infrastrukturës së Teknologjisë së Informacioneve (TI) respektivisht qendrës së parë dhe të dytë të të dhënave. Si institucion i nivelit qendror, AKK ka kompetenca për nxjerrjen e udhëzuesve dhe kornizave të punës lidhur me të gjitha veprimtaritë kadastrale, është përgjegjëse për trajnimin dhe certifikimin e zyrtarëve në Zyrat Kadastrale Komunale për operim në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovës (SIKTK) dhe për trajnimin, certifikimin dhe licencimin e gjeodetëve dhe kompanive gjeodete për ofrimin e shërbimeve kadastrale. Duke u bazuar në Ligjin për Kadastër AKK ka deleguar tek ZKK-të detyrat për regjistrimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave në SIKTK. ZKK-të ofrojnë shërbime për persona fizik dhe juridik si dhe për institucionet publike në 35 nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, ndërsa në tre Komuna, respektivisht në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan edhe krahas përpjekjeve të AKK-së administrimi i kadastrës nuk po bëhet konform legjislacionit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i kësaj dhe me qëllimin e ofrimit të shërbimeve kadastrale për qytetarët e këtyre tri komunave, AKK duke u bazuar në Ligjin për kadastër ka vendosur që të pranojë kërkesat e qytetarëve të tri komunave veriore, dhe për të njëjtat të lëshohen dokumente kadastrale dhe pronësore, si dhe të bëhet mirëmbajtja e Regjistrit të të Drejtave mbi Pronat të Paluajtshme.