« Prapa
Diskutime për ndërtimin e objektit të ri të AKK-së
Me qëllim të koordinimit ndërinstitucional për ndërtimin e objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe me qëllim të trajtimit nga pikëpamja financiare e profesionale të kësaj ndërmarrje, me datë 2 Shkurt në ambientet e AKK-së është mbajtur një takim pune mes Kryeshefit Ekzekutiv të AKK-së z. Avni Ahmetit, Drejtoreshës së Drejtorisë për Administratë dhe Financa në AKK z-njës Fazile Hamiti dhe Drejtorit të Departamentit për Standarde dhe Politika pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës z. Afrim Daka. Në këtë takim, pos çështjeve financiare e profesionale, janë prezantuar edhe detaje specifike mbi nevojat e personelit të AKK-së, pajisjet teknike e teknologjike me të cilat operon AKK dhe nevoja për sistemimin e tyre në objektin e ri, dhoma e serverëve e ngjashëm. Përndryshe, sistemimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës në një objekt të veçantë do të ndikonte edhe në ngritjen e kualitetit të shërbimeve kadastrale e pronësore-juridike që Agjencia ofron për palë të ndryshme të interesit, për qytetarët dhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në rast të kalimit të Ligjit të ri për kadastër dhe me avancimin e mandatit të AKK-së, objekti i ri do të lehtësonte edhe funskionimin e AKK-së në pajtueshmëri me këtë mandat të ri. Për objektin në fjalë tani më është caktuar lokacioni dhe është marrë leja e ndërtimit, ndërsa pritjet janë që ndërtimi të fillojë gjatë muajit korrik të këtij viti.
