« Prapa
Trajtim i tarifës në transaksion të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës
Me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së tarifës në transaksion të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës në Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale 01. Nr. 110-2782, me datë 03.02.2021, është mbajtur një takim pune në mes të z. Bashkim Shaqiri, zv. i Drejtorit të Drejtoratit Ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe z-një Venera Çerkini, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Çështje diskutimi ishte shqyrtimi i ligjshmërisë së nenit 4 të Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale 01. Nr. 110-2782, të aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, plotësuar dhe ndryshuar me Rregulloren Nr. 01-431/04-0253431/17 (KPR). Nga AKK është konsideruar se kjo tarifë është e kundërligjshme dhe ndikon drejtpërsëdrejti në realizimin e të drejtave pronësore nga qytetarët, të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë takim, përfaqësuesit e të dy Institucioneve u dakorduan që të bëhet shqyrtimi i ligjshmërisë së nenit 4 të kësaj rregulloreje dhe të largohet kjo tarifë e cila është barrë shumë e madhe për qytetaret në realizim të të drejtave pronësore.
