BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR

PROJEKTI PËR REGJISTRIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME DHE INFRASTRUKTURËS GJEO-HAPËSINORE (REGIP)

Projekti për regjistrimin e Pronës së paluajtshme dhe infrastrukturës Gjeohapësinore (REGIP) është i mbështetur nga Banka Botërore në formë kredie në vlerë prej 14.600.000 Euro. 
Projekti do të implementohet në periudhën 5 vjeçare dhe është bërë efektiv me 02 shtator 2020. Projekti përbëhet nga këto komponentë:
 
Komponenti A. Politikat, Mbështetja Ligjore dhe Institucionale: Qëllimi i Komponentit A është të ofrojë mbështetje politike, ligjore dhe institucionale për Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Kjo komponentë do të financojë ofrimin e mallrave dhe shërbimeve për: (a) zhvillimin e një strategjie të përditësuar të AKK-së dhe planit të biznesit për të informuar dhe udhëzuar zhvillimin e ardhshëm të të dhënave dhe shërbimeve kadastrale dhe gjeohapësinore në Kosovë; dhe (b) zhvillimin e mëtejshëm të Ligjit të ri të Kadastrit.
 
Komponenti B. Modernizimi i Kadastrit : Objektivi i këtij komponenti është vazhdimi i modernizimit të kadastrit në Kosovë, e cila filloi në kuadër të projektit paraprak për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër (RECAP). Ky komponent do të financojë sigurimin e mallrave dhe shërbimeve për: (a) rindërtimin e informacioneve kadastrale në 140 Zona Kadastrale; (b) përmirësimi i cilësisë së të dhënave kadastrale; (c) zhvillimin e kadastrit të përçojave; (d) zhvillimin e regjistrit të ndërtesave; dhe (e) renovimin dhe ri-inzhinjerimin e Zyrave Kadastrale Komunale.
 
Komponenti C. Teknologjia e Informacionit dhe Infrastruktura Gjeohapësinore: Objektivi i këtij komponenti është të bëjë investime në sistemet 
e IT-së dhe investime për të dhënat gjeohapësinore për tregun e tokës dhe pronës në Republikën e Kosovës dhe do të mbështesë zbatimin e strategjive të AKK-së për IT dhe Infrastrukturë Kombëtare të Informacioneve Hapësinore (IKIH). Ky komponent do të financojë ofrimin e mallrave dhe shërbimeve për: (a) përmirësimin e Sistemit të Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë në drejtim të Arkitekturës së Orientuar në Shërbime (SIKTK-AOSH); (b) Arkivin digjital të AKK-së; (c) Zbatimin e strategjisë së IT-së për AKK-në; (d) investimet në IKIH (ang.NSDI); dhe (e) Zhvillimi i mëtutjeshëm i rrjetit shtetëror gjeodezik të GPS-it, KOPOS.
 
Komponenti D. Menaxhimi i Projektit, Ndërtimi i Kapaciteteve, Informimi Publik dhe Monitorimi dhe Vlerësimi : Qëllimi i këtij komponenti është të sigurojë zbatimin e plotë në afat kohor të Projektit. Ky Komponent do të financojë ofrimin e mallrave dhe shërbimeve për: (a) njësinë e zbatimit të projektit (PIU) dhe koordinimin e donatorëve; (b) monitorimin dhe vlerësimin; (c) anketat e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet kadastrale, (d) Informimi i publikut dhe mekanizmi i dëmshpërblimit (GRM); (e) ngritja e kapaciteteve për AKK dhe Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP); dhe (f) Grupi i përbashkët i punës ndërmjet AKK dhe AKKVP-së.
 

PROJEKTI PËRKRAHËS I QEVERISË NORVEGJEZE

Përmes Statens kartverk, Qeveria e Norvegjisë për shumë vite ka përkrahur Agjencinë Kadastrale të Kosovës për zhvillimin e kadastrit dhe Administrimit të Tokës në Republikën e Kosovës. Marrëveshja e Grantit aktual me Agjencinë Kadastrale të Kosovës është nënshkruar me 7 Janar 2018 dhe ka qenë e planifikuar të përfundojë me 30 Tetor 2020, por për shkak të shtyerjes së implementimit të disa aktiviteteve nga situata e pandemisë Covid 19, në shtator 2020 është nënshkruar aneks marrëveshja për shtyerjen e afatit të implementimit të projektit deri më 31 dhjetor 2021. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përcjellë, kompletojë, zgjerojë dhe përmirësojë aktivitetet nga projektet e mëparshme të Statens kartverk me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
 
Aktivitetet kryesore të planifikuara për periudhën e mbetur të implementimit të projektit janë:
 
  • Sistemi i Adresave-Vendosja e tabelave me numrat e hyrjeve të objekteve në 6 Komuna (Malishevë, Klinë, Ferizaj, Obiliq, Kamenicë dhe Viti);
  • Plotësimi i bazës së dhënave grafike në SIKTK;
  • Zgjerimi i regjistrit të pronës dhe regjistrit të adresave në tri komunat në Veri të vendit;
  • Ngritja e kapaciteteve të AKK-së;
  • Përkrahje në hartimin e specifikave teknike për rrjetin e nivelimit në Republikën e Kosovës.
 
Aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit përkrahës të Qeverisë Norvegjeze për vitin 2020 janë si vijon:
 
  • Janë hartuar specifikat teknike, janë nënshkruar Memorandumet e Mirëkuptimit për bashkëfinancim me Komunat Malishevë, Klinë, Ferizaj, Obiliq, Kamenicë dhe Viti dhe është shpallur tenderi për vendosjen e tabelave me numrat e  hyrjeve të objekteve në 6 Komunat e sipërpërmendura;
  • Janë finalizuar Termat e Referencës për migrimin dhe konvertimin e të dhënave grafike në hartën kadastrale për Komunën e Prishtinës;
  • Për përkrahje profesionale të AKK-së, janë angazhuar dy ekspertë për kadastër për periudhën nëntor 2020 –dhjetor 2021;

3 PROJEKTI SPATIAL II I PËRKRAHUR NGA QEVERIA HOLANDEZE

Projekti për ngritjen e qasjes profesionale në informacione për Tokën (SPATIAL II) në rajonin e Ballkanit Perëndimor është pjesë e programit të para-anëtarësimit MATRA. MATRA është një program i madh i drejtuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, që synon ofrimin e mbështetjes për vendet e rajonit të Evropës Juglindore me perspektivat e pranimit në BE. Objektivi i përgjithshëm i MATRA është avancimi i një demokracie pluraliste, bazuar në shtetin e së drejtës, inkurajimi i dialogut midis qeverisë dhe shoqërisë civile, ndërtimi i kapaciteteve dhe forcimi i institucioneve të shoqërisë civile dhe qeverisë, si dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe.
 
Projekti SPATIAL II ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe qasjen në informacion në lidhje me tokën në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që t'i sigurojë shoqërisë një informacion të besueshëm në lidhje me tokën për mirëqenien sociale dhe ekonomike.
 
Projekti implementohet në periudhën 2020-2022 me përkrahje profesionale nga ekspertët e Autoritetit Holandez për kadastër dhe hartografi Kadaster. 
 
Aktivitetet e planifikuara të projektit janë:
 
• Punëtoritë (workshopet) profesionale në Ballkanin Perëndimor;
• Vizita studimore në Holandë;
• Konsulencë profesionale nga ekspertët e Kadastër;
• Menaxhimi i projektit.

PROJEKTI PËRKRAHËS I QEVERISË JAPONEZE

Në vazhdën e përkrahjes së Qeverisë Japoneze nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për Agjencinë Kadastrale të Kosovës është duke u implementuar projekti "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Ky projekt ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për krijimin e hartave topografike me shkallë të vogël 1:50,000, 1:100,000, 1:250,000 dhe 1:500,000, me çka zyrtarët e AKK-së do të rrisin kapacitetet e veta që në mënyrë të pavarur ta bëj përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme.. Përgjithësimi hartografik, përfshin të gjitha ndryshimet gjatë procesit nga një hartë në shkallë më të vogël në harta më shkallë më të madhe si: nga shkalla e hartës topografike digjitale 1:25 000 në shkallë 1:50000, 1:100000 dhe 1:250000.
 
Në këtë proces është duke u bërë konvertimi i të dhënave gjeohapësinore nga një niveli me i lartë i saktësisë tek një nivel më të ulët, krejt me qëllim që në fletën e hartës të përfshihet detaji me hapësirë më të madhe e cila thekson elementet më të rëndësishëm të hartës, gjithnjë duke punuar sipas rregullores për harta topografike.
 
Projekti ka qenë i paraparë të përfundojë gjatë vitit 2020, por për shkak të situatës me pandeminë Covid 19, është shtyer afati i implementimit të projektit deri më 31 Dhjetor 2021.