NEWS

Ministri Matoshi pret në takim z. Ahmetin

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Fatmir Matoshi priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të sapo zgjedhur të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti. Qëllimi i takimit ishte informimi i përgjithshëm rreth aktiviteteve të përbashkëta, identifikimi i fushave prioritare për bashkëpunim, sidomos ato ku interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i menjëhershëm, prezantimi i z. Ahmetit para anëtarëve të Kabinetit të Ministrit, informimi rreth sfidave e ngjashëm. Në takim Ministri Matoshi ofroi përkrahjen e parezervë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës, institucion ky që administron regjistrat pronësorë, kadastrën, gjeoinformacionin, sistemin e adresave, hartografinë, etj. Ministri Matoshi vlerësoi peshën që kjo Agjencia ka në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ofrimin e përkrahjen institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, prandaj edhe kërkoi bashkëpunim në nivel profesional mes ekspertëve të institucioneve brenda MMPH-së, aty ku edhe është e sistemuar Agjencia Kadastrale e Kosovës. Po ashtu z. Matoshi kërkoi trajtim më specifik të gruas në të drejta pronësore, respektivisht lehtësimin e qasjes së grave në të drejta pronësore. Z. Ahmeti, pasi falënderoi z. Matoshin për përkrahjen e dhënë gjatë muajve kur z. Ahmeti ushtroi detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, u zotua se do të ofrojë tërë kapacitetin e tij profesional dhe menaxherial në avancimin e kadastrës, ngritjen e kualitetit të të dhënave, hapjen e të dhënave, avancimin dhe shpejtimin e shpërndarjes së të dhënave, si dhe gjithpërfshirjen e grupeve potencialisht të margjinalizuara në shfrytëzim të të drejtave pronësore, me theks të veçantë gratë. Në fund të takimit palët u pajtuan që takime të tillë të mbahen në baza të rregullta, krejt me qëllim të ofrimit sa më efikas të shërbimeve, përfitues nga të cilat janë edhe qytetarët edhe institucionet e Republikës së Kosovës. 


Z. Ahmeti pret Kryetarin e ShGjK, z. Murat Hoxha

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti priti në takim pune Kryetarin e Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës z. Murat Hoxha. Në takim, përfaqësuesit e institucioneve respektive prezantuan në pika të shkurta vizionin e tyre për zhvillimin e kadastrës dhe gjeodezisë, si dhe njohën si të domosdoshme nevojën për bashkëpunim profesional të Agjencisë Kadastrale të Kosovës me Shoqatën e Gjeodetëve të Kosovës. Ndërsa, si pika të rëndësishme të takimit mund të veçohet pajtimi i z. Ahmeti dhe z. Hoxha për nevojën e shtyrjes përpara të Ligjit të ri për Kadastër, i cili do të vertikalizonte sistemin kadastral në Republikën e Kosovës, respektivisht do të vendoste Zyrat Kadastrale Komunale nën ombrellën e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, duke e parë këtë si një hapje të rrugës për modernizim më të shpejtë të kadastrës, ngritjen e kualitetit të të dhënave kadastrale dhe pronësore,  ofrim kualitativ të shërbimeve e ngjashëm. Ndërsa z. Hoxha kërkoi bashkëpunim edhe më të madh me sektorin privat gjatë implementimit të reformave të ndryshme në fushën e administrimit të tokës. Edhe z. Ahmeti edhe z. Hoxha shprehën nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit, duke intensifikuar takimet dhe duke përfshirë njëri tjetrit në aktivitetet e institucioneve repsektive.

 

 


AKK, takim me shoqatën e gjeodetëve

Duke konsideruar si palë të fuqishme të interesit në implementimin e punëve të ndryshme në administrimin  e tokës në përgjithësi, dhe kadastrës dhe pronës në veçanti, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, së bashku me bashkëpuntorët e tij, ekspertët ligjor, ekspert kadastral dhe ekspert të GIS-it brenda AKK-së, organizoi një takim gjithëpërfshirës pune me Shoqatën e Gjeodetëve të Kosovës. Qëllimi i takimit ishte që të thellohet bashkëpunimi mes institucioneve respektive, të identifikohen fushat e interesit të përbashkët, të dëgjohen komentet rreth vizionit dhe të prezantohet sfidat që hasin si gjeodetët po ashtu edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës gjatë kryerjes së punëve të përditshme. Ndërsa, theks kryesor në takim ishte edhe prezantimi i Udhëzimeve Administrative të cilat kanë qenë subjekt i ndryshimit, dhe bashkërisht të përgatiten ekspertët për gjendjen e re që do të sjell hyrja në fuqi e këtyre udhëzimeve administrative. Konkretisht, gjatë draftimit të udhëzimeve administrative, në grupet gjithëpërfshirëse punuese ku kanë marrë pjesë ekspertë të AKK-së, përfaqësues të MMPH-së edhe përfaqësues të shoqatës së gjeodetëve, nga këta të fundit janë dhënë disa komente, ndërsa sot është diskutuar mbi këto komente dhe përfshirjen e tyre në draftin final të udhëzimeve administrative. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, respektivisht Këshilltarët Politik të Ministrit Fatmir Matoshi, z. Leutrim Sahiti dhe z. Fisar Berisha të cilët kërkuan harmonizim të aktiviteteve dhe premtuan përkrahjen e nevojshme të Ministrisë në eliminim të sfidave eventuale që mund të paraqiten gjatë kryerjes së punëve si nga Shoqata e Gjeodetëve po ashtu edhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Ndërsa, e rëndësishme për tu përmendur ishte se në takim z. Ahmeti u zotua në vazhdim të bashkëpunimit, si dhe paralajmëroi edhe takime tjera ku konkretisht do të diskutohet rreth mundësive të përfshirjes se sektorit privat në implementim të projekteve të ndryshme nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.    

 

Rinovohen ZKK në Vushtrri

Si rezultat i bashkëpunimit mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Komunës së Vushtrrisë dhe Autoritetit Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi "Kartvekrket", respektivisht Qeverisë së Norvegjisë, me datë 18 qershor 2019, është bërë inaugurimi i Zyrave Kadastrale Komuna të reja në këtë Komunë. Investimi për këtë projekt, i cili arrin vlerën e 65,000 eurove do të ndikojnë në avancimin e kushteve të punës për personelin e komunës, do të ndikojnë në avancimin e kushteve për qytetarët të cilët i drejtohen zyrave kadastrale komunale, do të rris transparencën gjatë kryerjes së punëve, do të ndikojnë më minimizimin e secilës mundësi për korrupsion, do të fuqizojnë llogaridhënien dhe në fund të do rris edhe kualitetin e shërbimeve dhe produkteve kadastrale dhe pronësore të cilat u ofrohen qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. E rëndësishme për tu potencuar është se këto investime në zyrat e reja, në inventar, në rrjetin e energjisë elektrike, në ventilimin dhe në pajisje dhe hapësira tjera nuk kanë për qëllim vetëm rinovimin e hapësirave fizike, por kanë për qëllim edhe ndërrimin e vet mënyrës së punës në tërësi gjatë ofrimit të shërbimeve kadastrale dhe pronësoro-juridike, përmes funksionalizimit të zyrave pritëse dhe zyrave për procesim të lëndëve. Kjo nënkupton se qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë zyre pas zyrës, njeri pas njeriut, por kërkesat e tyre do ti dorëzojnë në një adresë të vetme, te zyra pritëse ku kushtet janë dinjitoze. Rrjedhimisht zyrtarët që procesojnë lëndët, nuk do të kenë nevojë që të pranojnë palë nëpër zyrat e punës ku procedohen lëndët. Me rastin e ceremonisë inauguruese të këtij projekti, morën pjesë përfaqësues të autoritetit norvegjez për kadastër "Kartverket", respektivisht z. Helge Onsrud dhe z. Tor Laugen, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, dhe nikoqiri, Kryetari i Komunës z. Xhafer Tahiri.


Përurohen emrat e rrugëve në Gjilan dhe Kamenicë

Në dy ceremoni të ndara solemne, një në Komunën e Gjilanit dhe një në Komunën e Kamenicës, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri dhe Kryetarit të Komunës së Kamenicës z. Qëndron Kastrati, Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë z. Gjergj Beka, Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, përfaqësuesve të autoritetit norvegjez për kadastër „Kartverket" z. Helge Onsrud dhe z. Tor Laugen është bërë inaugurimi i projektit për vendosjen e tabelave me emra të rrugëve në këto dy komuna. Ky projekt i financuar nga Qeveria e Norvegjisë dhe i implementuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në bashkëpunim me Drejtoritë për Urbanizëm në Komunat përkatëse, pasuron adresat me atribute të reja, respektivisht pas evidentimit dhe digjitalizimit të rrugëve, pas futjes së tyre në sistem, pas emërimit të rrugëve nga Kuvendet Komunale, tani më vendosen edhe tabelat me emra rrugësh. Si rezultat i këtij projekti, pritjet janë që të rritet shkalla e kualitetit në ofrimin e shërbimeve publike dhe komerciale, të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, i mallrave dhe shërbimeve, të avancohet transporti dhe navigacioni, ndërsa përfitues kryesor të do të jenë qytetarët, organet e sigurisë, organet e shëndetësie, organet për menaxhimin e situatave emergjente, organet për ofrimin e shërbimeve komunale, e të tjera. Në takimet e ndara që Kryeshefi Ahmeti pati me Kryetarin e Komunës së Gjilanit z. Hazirin dhe me Kryetarin e Komunës së Kamenicës z. Kastratin u potencua nevoja që adresat të mirëmbahen me rregull, secilit objekt të ri që ndërtohet apo secilës rrugë të re që krijohet, të u bashkëngjiten edhe adresat. Po ashtu, informimi i qytetarëve me adresat e tyre zyrtare duhet të bëhet në secilën Komunë. Ndërsa për të ardhmen si prioritet në lidhje me adresat u potencua nevoja për vendosjen e numrave të adresave nëpër shtëpi dhe objekte tjera, duke njohur faktin se vetëm atëherë sistemi i adresave mund të konsiderohet i kompletuar për një komunë. Përndryshe, adresat janë të qasshme përmes Gjeoportalit Shtetërorë, dhe për shfrytëzimin e të njëjtave Agjencia Kadastrale e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me kompani të mëdha ndërkombëtare të navigimit si TomTom, Open Street Map, etj.