NEWS

Tryezë: Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë

Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahjen e Qeverisë Japoneze nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është duke implementuar projektin "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Ky projekt ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për krijimin e hartave topografike me shkallë të vogël 1:50,000, 1:100,000, 1:250,000 dhe 1:500,000, me çka zyrtarët e AKK-së do të rrisin kapacitetet e veta që në mënyrë të pavarur ta bëjnë përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme. Duke marrë parasysh faktin që në kuadër të këtij projekti tani më është përfunduar gjeneralizimi i hartës topografike në shkallë 1:250.000 dhe me qëllim të prezantimit të procesit dhe produktit në fjalë, me datë 22 tetor 2021, në Hotel "Sirius" në Prishtinë, nën organizimin e JICA-s dhe me pjesëmarrjen e disa palëve të interesit është mbajtur një tryezë diskutimi me titull "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Në këtë tryezë përmes prezantimeve dhe debateve interaktive u trajtua kualiteti i hartës, veçoritë që harta përmban, benefitet nga përdorimi i hartës toporafike, sfidat me të cilat u përballën ekspertët japonez dhe ata të AKK-së gjatë gjeneralizimit të hartës digjitale topografike si dhe i diskutua mbi hapat para si në fushën e infrastrukturës kombëtare të informacioneve gjeohapësinore në përgjithësi po ashtu edhe në fushën e hartografisë në veçanti. Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë kontributin e ekspertëve të JICA-s në proces dhe njëherësh u pajtuan që nevojitet një gjithëpërfshirje dhe koordinim më i madh ndërinstitucional në të gjitha proceset e krijimit të produkteve gjeohapësinore. Në këtë tryezë u mbajtën katër prezantime, respektivisht z. Avni Rrustemi, ekspert për GIS dhe Hartografinë AKK prezantoi punimin me titull "Përpilimi dhe menaxhimi i hartës topografike, z. Rizah Murseli, Udhëheqës i Divizionit për GIS në Institutin e Planifikimit Hapësinor prezantoi punimin "Shfrytëzimi i hartës topografike 1:25.000", z. Idriz Shala, Zyrtar i lartë i GIS-it në Agjencinë e Statistikave të Kosovës prezantoi punimit "Nevojat dhe shfrytëzimi i Hartës Topografike" si dhe përfaqësuesi i Korporatës japoneze PASCO z. Kohei Isobe, njëherësh ekspert i angazhuar nga JICA, prezantoi punimin me titull "Shfrytëzimi i hartave të shkallës së vogël në Japoni".  Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra e JICA-s në Ballkan të prirë nga Përfaqësuesi Kryesor z. Jiro Takeichi, pastaj nga Kabineti i Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu respektivisht Këshilltarja Politike z. Gearda Demiraj, ekspertë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të prirë nga zv. Drejtorja e Përgjithshme e AKK z-nja Afërdita Thaçi, pastaj përfaqësues nga  Ministria e Kulturës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Forca e Sigurisë së Kosovës, Komisioni për Miniera dhe Minerale, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore etj.

 


Punëtori në kuadër të projektit Spatial II

Agjencia Kadastrale e Kosovës është pjesëmarrëse e iniciativave të ndryshme ndërkombëtare e regjionale që kanë për qëllim avancimin në fushën e kadastrës dhe gjeoinformacionit si dhe harmonizimin e produkteve dhe shërbimeve që ofron konform atyre që ofrohen nga shtetet e BE-së. Në të kaluarën ka pasur disa projekte konkrete regjionale të cilat kanë ndihmuar institucionet për kadastër e hartografi të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në zhvillimin profesional, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e teknologjike, në ngritjen e aplikacioneve të ndryshme gjeohapësinore si projekti IMPULS, ai INSPIRATION, SPATIAL e ngjashëm, ndërsa aktualisht është duke u implementuar edhe vazhdimi i projektit SPATIAL, respektivisht SPATIAL II, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës. E në kuadër të këtij projekti, me datë 15 Tetor në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një punëtori me ekspertët nga Autoriteti Holandez për Kadastër dhe Hartografi z Haico vd Vegt dhe z. Dorus Kruse. Qëllimi i këtij takimi ishte që në bashkëpunim mes përfaqësuesve të institucioneve respektive, të identifikohen fushat se ku do të duhej të fokusohej përkrahja për AKK. Si pika të interesit u veçua përkrahja në fushën e infrastrukturës për informacione hapësinore në Republikën e Kosovës, pastaj përkrahje në ngritjen e kualitetit të të dhënave kadastrale dhe në avancim të planifikimit në fushën e përfitimeve nga produktet dhe shërbimet t[ cilat Agjencia Kadastrale e Kosovës ua ofron palëve të interesit. Ndërsa propozimet përfundimtare do të merren pas një diskutimi të brendshëm në AKK dhe përmes diskutimeve të AKK-së me palë të interesit.


AKK, takim për menaxhim financiar të REGIP

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, respektivisht Agjencia Kadastrale e Kosovës është përfituese dhe implementuese e projektit për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër dhe për infrastrukturë të informacioneve gjeohapësinore (REGIP) të mbështetur nga Banka Botërore në formë kredie. Në kuadër të këtij projekti parashihet implementimi i një numri të konsiderueshëm aktivitetesh, ndërsa me qëllim të diskutimit mbi çështjet rreth menaxhimit financiar, disbursimit dhe buxhetit me datë 14 tetor në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës u mbajt një takim pune mes Udhëheqësit të Njësisë për Implementim të Projektit z. Muzafer Çaka dhe Specialistit për Financa në kuadër të Njësisë për Implementim të Projektit z. Liridon Gruda me z-njën Jonida Myftiu, përgjegjëse për menaxhimin financiar të të gjithë projekteve që Banka Botërore implementon në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë. Në fillim të takimit u fol mbi sfidat me të cilat është ballafaquar projekti REGIP në aspektin e menaxhimit financiar dhe po ashtu edhe me procesin e prokurimit. Pjesëmarrësit në takim janë pajtuar që të fillohet me procedurat për disbursimet për aktivitetet e parapara për implementim gjatë vitit 2021 si dhe janë bërë parashikimet e disbursimeve dhe menaxhimit financiar për vitin 2022 për projektin REGIP.


Punëtori mbi implementimin e programit të legalizimit të ndërtimeve pa leje

Nën organizimin e Projektit KEGA të USAID, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të interesit në fushën e legalizimit të objekteve pa leje, respektivisht Departamenti i Ndërtimit pranë MMPHI, Zyra Kadastrale Komunale në Graçanicë, Zyra Kadastrale Komunale në Prishtinë, përfaqësuesve nga Zyrat për Urbanizëm në këto dy komuna, përfaqësues nga Agjuencia Kadastrale e Kosovës me datë 6 dhe 7 tetor në  Hotel Centrum Prizren është mbajtur një punëtori mbi implementimin e programit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Tema kryesore e takimit ka qenë trajtimi i tëa rriturave dhe sfidave në procesin e legalizimit në në Prishtinë dhe në Graçanicë, pastaj përpunimi i aplikacioneve të legalizimit duke ndjekur procesin e legalizimit dhe strukturën organizative të rekomanduar, shqyrtimi i aplikacioneve dhe vendimeve dhe regjistrimi i lëndëve në kadastër dhe në regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme. Në këtë punëtori Agjencia Kadastrale e Kosovës u përfaqësua nga Zyrtari i Lartë Ligjor z. Nadir Shyqeriu dhe nga Eksperti i GIS-it z. Esat Xani.


AKK, takim me Agjencinë për Barazi Gjinore

Me qëllim të informimit të ndërsjellët rreth aktiviteteve të institucioneve respektive dhe për të identifikuar fushat e interesit të përbashkët ku ky bashkëpunim do të mund të intensifikohej, zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kadastrale të Kosovës z-nja Afërdita Thaçi ka mbajtur një takim pune me Kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore z-njën Edi Gusia. Fokus i këtij takimi ishte avancimi i të drejtave të gruas në përgjithësi si dhe përfshirja e gruas në shfrytëzim të të drejtave pronësore në veçanti. Po ashtu, si rekomandim i përbashkët nga ky takim doli edhe propozimi rreth masës afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve pa pagesë, respektivisht u propozua që kjo masë afirmative mos të jetë e përkohshme por e njëjta të rregullohet me Udhëzim Administrativ tël përhershëm, sidomos nëse merret parasysh ndikimi që e njëjta ka pasur në ngritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Po ashtu, në takim u propozua një bashkëpunim më i avancuar në faza të ndryshme të implementimit të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër, huamarrje kjo nga Banka Botërore e në kuadër të së cilit projekt parashihet implementimi i dhjetëra aktiviteteve nga të cilat përfituese mund të jenë edhe gratë.