NEWS

Përkrahje FSK-së në fushën e hartografisë dhe gjeoinformacionit

Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), e për interesat e zhvillimit të dy institucioneve përkatëse, me datë 4 shkurt 2021 në ambientet e MM është mbajtur një takim gjithëpërfshirës pune mes përfaqësuesve të MM, respektivisht Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe përfaqësuesve të AKK-së, të prira nga Komandanti i FSK-së Gjeneral Rahman Rama dhe Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së z. Avni Ahmeti.  

Në takim, pos prezantimit të aktiviteteve të instuicioneve në fjalë dhe identifikimit të fushave ku ky bashkëpunim do të mund të avancohej dhe si rezultat i takimeve paraprake të zhvilluara mes ekspertëve nga dy institucionet, u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi.

Qëllimi i Marrëveshjes është formalizimi i bashkëpunimit që kryesisht ka të bëjë me përkrahjen dhe ekspertizën që AKK do ia ofrojë FSK-së në fushën e hartografisë, gjeoinformacionit, me ofrimin e produkteve kadastrale që administrohen nga AKK për nevoja të FSK-së, me specifikimin e përgjegjësive të palëve nënshkruese, me emërimin e personave përgjegjës për zbatim të marrëveshjes e ngjashëm. Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të rezultojë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve ndërsa si rezultat, përkrahja profesionale që AKK do ia ofrojë FSK-së do të rezultojë me ngritjen e kapaciteteve të FSK për implementimin sa më gjithëpërfshirës të mandatit të saj.  

 


Trajtim i tarifës në transaksion të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës

Me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së tarifës në transaksion të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës në Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale 01. Nr. 110-2782, me datë 03.02.2021, është mbajtur një takim pune në mes të z. Bashkim Shaqiri, zv. i Drejtorit të Drejtoratit Ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe z-një Venera Çerkini, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Çështje diskutimi ishte shqyrtimi i ligjshmërisë së nenit 4 të Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale 01. Nr. 110-2782, të aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, plotësuar dhe ndryshuar me Rregulloren Nr. 01-431/04-0253431/17 (KPR). Nga AKK është konsideruar se kjo tarifë është e kundërligjshme dhe ndikon drejtpërsëdrejti në realizimin e të drejtave pronësore nga qytetarët, të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë takim, përfaqësuesit e të dy Institucioneve u dakorduan që të bëhet shqyrtimi i ligjshmërisë së nenit 4 të kësaj rregulloreje dhe të largohet kjo tarifë e cila është barrë shumë e madhe për qytetaret në realizim të të drejtave pronësore.
 

Vlerësim i bashkëpunimit me UN HABITAT

Me qëllim të vlerësimit të Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të UN-HABITAT në Kosovë, si dhe me qëllim të identifikimit të nevojave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në kuadër të projektit të ardhshëm të UN HABITAT-it në Kosovë, me datë 3 shkurt në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit është mbajtur një takim pune mes Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti edhe z. Atdhe Hetemi, përfaqësues i kompanisë për vlerësim të Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të UN-Habitat. Në takim z. Ahmeti prezantoi pikat kryesore të bashkëpunimit mes AKK dhe UN HABITAT, me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e integrimit të Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçanit në sistemin kadastral zyrtar të Republikës së Kosovës. Sa i përket të bashkëpunimit të ardhshëm, z. Ahmeti kërkoi përkrahje me staf profesional, pajisje gjeodezike, fushata senzibilizuese e ngjashëm. Nga z. Hetemi u vlerësua bashkëpunimi dhe u morr zotimi për ndarjen e përvojave dhe nevojave të AKK-së me udhëheqësit e UN HABITAT.

Diskutime për ndërtimin e objektit të ri të AKK-së

Me qëllim të koordinimit ndërinstitucional për ndërtimin e objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe me qëllim të trajtimit nga pikëpamja financiare e profesionale të kësaj ndërmarrje, me datë 2 Shkurt në ambientet e AKK-së është mbajtur një takim pune mes Kryeshefit Ekzekutiv të AKK-së z. Avni Ahmetit, Drejtoreshës së Drejtorisë për Administratë dhe Financa në AKK z-njës Fazile Hamiti dhe Drejtorit të Departamentit për Standarde dhe Politika pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës z. Afrim Daka. Në këtë takim, pos çështjeve financiare e profesionale, janë prezantuar edhe detaje specifike mbi nevojat e personelit të AKK-së, pajisjet teknike e teknologjike me të cilat operon AKK dhe nevoja për sistemimin e tyre në objektin e ri, dhoma e serverëve e ngjashëm. Përndryshe, sistemimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës në një objekt të veçantë do të ndikonte edhe në ngritjen e kualitetit të shërbimeve kadastrale e pronësore-juridike që Agjencia ofron për palë të ndryshme të interesit, për qytetarët dhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në rast të kalimit të Ligjit të ri për kadastër dhe me avancimin e mandatit të AKK-së, objekti i ri do të lehtësonte edhe funskionimin e AKK-së në pajtueshmëri me këtë mandat të ri. Për objektin në fjalë tani më është caktuar lokacioni dhe është marrë leja e ndërtimit, ndërsa pritjet janë që ndërtimi të fillojë gjatë muajit korrik të këtij viti.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Minxhozi vizitoi AKK-në

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) si organ kompetent për administrimin e regjistrave pronësorë, për kadastër dhe hartografi, për sistem të unifikuar të adresave dhe për infrastrukturë të informacioneve hapësinore është pjesë e nismave të ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare, që kanë për qëllim shpërndarjen e shërbimeve gjeohapësinore për palë të ndryshme të interesit.
Pjesëmarrja në këto nisma ka ndikuar edhe në ngritjen e kualitetit të shërbimeve që u ofrohen institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës e jashtë saj, ka ndikuar në lehtësimin e qarkullimit të njerëzve e të kapitalit, ka ndihmuar në administrimin e gjendjeve emergjente e ngjashëm.
Ndërsa me qëllim të identifikimit të fushave të interesit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të avancohej edhe në të ardhmen, si dhe për të identifikuar hapat që duhet të ndërmerren për të intensifikuar këtë bashkëpunimi, AKK u vizitua nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Qemal Minxhozi i cili në takim u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së z. Avni Ahmeti dhe Drejtoresha e Drejtorisë për Teknologji të Informacionit z-nja Afërdita Thaçi.
Në takimin në fjalë, pos prezantimit të aktiviteteve të institucioneve respektive, prijësit e institucioneve u pajtuan që bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohet, e sidomos kur bëhet fjala për institucione homologe nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duke marrë parasysh edhe ndërveprimet e përditshme ekonomike e kulturore mes dyja shteteve.
Si rezultat i këtij takimi së shpejti pritet që të shkëmbehen shërbime dhe produkte gjeohapësinore të brezit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë të cilat do të ndihmonin implementimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore e mjedisore nga autoritetet e dyja shteteve.