IKIH

INFRASTRUKTURA KOMBËTARE E INFORMACIONEVE HAPËSINORE

Republika e Kosovës është duke implementuar një infrastrukturë moderne të administrimit të tokës dhe është duke ndjekur praktikën më të mirë të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Hyrja në Bashkimin Evropian (BE) nënkupton që Republika e Kosovës do të duhet t'i nënshtrohet direktivave të lëshuara nga Komisioni Evropian (KE). Sa i përket administrimit të tokës dhe të dhënave gjeohapësinore, duhet të merret parasysh Infrastruktura për informata hapësinore e Komisionit Evropian (INSPIRE). Implementimi i konceptit të Infrastrukturës Kombëtare të Informacioneve Hapësinore (ang. NSDI) gjithashtu është i një rëndësie të veqantë për Republikën e Kosovës, pasi vendi përditë e më shumë po ballafaqohet me rritje të kërkesës për të dhëna gjeohapësinore, të cilat janë të nevojshme për planifi kim, vendimmarrje dhe përcjellje të efekteve në zona të ndryshme.

 Infrastruktura Kombëtare për Informacione Hapësinore (IKIH) duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të sigurohet se të dhënat hapësinore ruhen, vihen në dispozicion dhe mirëmbahen në nivelin më të përshtatshëm për të qenë e mundur të kombinohen të dhëna hapësinore nga burime të ndryshme nga të gjitha institucionet në mënyrë të qëndrueshme, si dhe për t'i shkëmbyer ato ndërmjet shumë përdoruesve dhe aplikacioneve, për të qenë e mundur që të dhënat hapësinore të mbledhura në një nivel të caktuar të autoritetit publik të shkëmbehen ndërmjet autoriteteve të tjera publike etj. Shumë institucione në Republikën e Kosovës kanë krijuar informacione gjeohapësinore digjitale, ku është më se e domosdoshme që të bëhet standardizimi i tyre dhe me ligj të rregullohen edhe aspektet e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të këtyre të dhënave midis institucioneve përkatëse. Ideja është që të prodhohen dhe të mblidhen të dhënat hapësinore vetëm njëherë me kosto të ulët dhe që ato mund të shkëmbehen dhe të përdoren nga të gjithë. Deri më tani në Republikën e Kosovës janë bërë disa hapa konkret, ku me ligj është përcaktuar Agjencia Kadastrale e Kosovës si koordinatore për IKIH. Është krijuar komiteti ndërministror për administrimin e tokës dhe IKIH, si dhe gjithashtu janë realizuar projekte të rëndësishme. Është përmirësuar dukshëm shpërndarja e shërbimeve në kohë dhe është lehtësuar qasja në rrjet. Korniza ligjore për menaxhimin e tokës dhe të IKIH-së lehtëson zhvillimin e Administrimit të Tokës dhe të vetë IKIH-së në Republikën e Kosovës.

Zhvillimet e IT-së në njërën anë dhe kërkesat e politikave të tregut të tokës nga ana tjetër kanë çuar në një situatë e cila ka bërë të mundur dhe të nevojshme që sistemet e të dhënave dhe proceseve të agjencive qeveritare të jenë gjithnjë e më të sinkronizuara. Qeveria dhe institucionet e saj gjithashtu kanë integruar portalet e internetit të autoriteteve publike, në mënyrë që, deri në një farë niveli, për qytetarët të jetë në dispozicion zgjidhja e ashtuquajtur one-stop-shop. Për të realizuar këtë, janë hasur sfi da serioze organizative. Çdo vend bën zgjidhjen e vet, por themelorja për të gjitha zgjidhjet, është nevoja për një bashkëpunim të hapur dhe intensiv kompetencash të të gjithë autoriteteve qeveritare, dhe kjo është ajo që do të arrihet nëpërmjet IKIH-së në Kosovë. Për më shumë, Agjencia Kadastrale e Kosovës duhet të azhurnojë edhe Strategjinë aktuale për IKIH, e cila u ndihmon institucioneve publike në Republikën e Kosovës që të krijojnë politikat e tyre për IKIH, konform kërkesave që dalin nga Rregulloret të BE-së. Si ndihmesë në avancimin e Republikës së Kosovës në këtë fushë ka qenë edhe projekti IMPULS i përfunduar në fund të vitit 2019, që konsiston me harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të regjionit me ato të shteteve anëtare të BE-së ndërsa mbështetëse e projektit ka qenë autoriteti suedez për kadastër dhe hartografi "Lantmateriet" dhe është fi nancuar nga SIDA suedeze. Nëpërmjet përkrahjes së këtij projekti AKK-ja ka ngritur njohuritë profesionale për IKIH, dhe ka arritur të harmonizojë shumicën e të dhënave për të cilat është përgjegjëse, si dhe të ndihmojë disa institucione tjera prodhuese të të dhënave hapësinore të harmonizojnë të dhënat e tyre ekzistuese dhe krijimin e meta të dhënave për këto të dhëna.