ARKIVI I LAJMEVE

Informacion për ndryshim tarife për regjistrim të pronës së përbashkët

Me qëllim të shpërndarjes sa më të madhe të informacioneve për të cilat konsiderohen si të rëndësishme për publikun, Agjencia Kadastrale e Kosovës ri-informon qytetarët, sidomos çiftet bashkëshortore, se ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ i cili  rregullon taksimin për regjistrimin e pronës së përbashkët mes bashkëshortëve. Konkretisht, tani më me këtë Udhëzim Administrativ në fuqi për regjistrimin e pronës së përbashkët në Komunë do të paguhet një taksë për njësi, gjë që dallon nga gjendja paraprake ku është paguar një taksë për ponar. Pritjet janë që një ndryshim i tillë të ketë ndikim pozitiv në ngritjen e përqindjes së grave pjesëmarrëse në pronë të përbashkët. Një informacion i tillë njëherësh është shpërndarë edhe në konferencën kushtuar ngritjes së vetëdijesimi tek gratë, për të drejtat e tyre në regjistrimin e pronës, "Për të mirën tonë", e cila është pjesë e projektit të korporatës gjermane - GIZ "Menaxhimi i Tokës/Kadastër".

Në vijim mund të shkarkohet edhe Udhëzimi Administrativ në fjalë

 

Prezantohen sukseset e ZKK Mitrovicë

Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i udhëhequr nga Kryeshefi i AKK-së Prof. Dr. Murat Meha, ka shoqëruar një delegacion të gjerë të Bankës Botërore, në përbërje prej 25 menaxherëve të ndryshëm, të cilët kanë ndërmarrë një vizitë në Zyrën Kadastrale të Mitrovicës. Kjo ZKK është prezantuar si një storje e suksesshme e bashkëpunimit trepalësh, respektivisht Agjencisë Kadasatrale të Kosovës, Zyrës Kadastrale Komunale dhe Bankës Botërore. Konkretisht, delegacionit të bankës Botërore u është prezantuar Zyra e riinxhinjeruar Kadastrale, Sistemi i Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, të arriturat nga projekte tjera si Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale, Sistemi i Adresave, Krijimi i Kadastrit të Ndrëtesave, Gjeoportali, etj. 


Takohet Komiteti Ndërministror për Administrimin e Tokës

Me qëllim të diskutimit të çështjeve që lidhen me administrimin e tokës si dhe me qëllim të koordinimit të projekteve në fushën e administrimit të tokës, me 29.10.2014 me fillim në ora 09:30 në Hotel Sirius në Prishtinë është mbajtur takimi i Komisionit Ndërministror për Administrimin e Tokës. Takimi u hap nga Zëvendës Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë z. Shpëtim Rudi i cili pos që falënderoi donatorët për implikimin e tyre financiar dhe profesional në fushën e tokës, foli edhe mbi përfshirjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ndihmën e dhënë projekteve në fushën e administrimit të tokës. "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vazhduar dhënien e përkrahjes së saj profesionale dhe financiare në rrumbullakësimin e disa prioriteteve të paracaktuara sa i përket legjislacionit dhe projekteve të rëndësishme në fushën e administrimit të tokës. Si rezultat i kësaj përkrahjeje sot kemi një legjislacion të azhurnuar me akte ligjore dhe nënligjore, kemi akte të tilla të draftuara të cilat presin kalimin në Kuvend, akte të cilat do të plotësojnë legjislacionin aktual në fushën e administrimit të tokës. Po ashtu kemi edhe projekte konkrete me rezultate konkrete dhe të prekshme, përfitimet nga të cilat janë duke i vjelë të gjithë," tha z. Rudi. Nga ana e tij Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, organizatorë i takimit të Komitetit, Prof. Dr. Murat Meha, në fjalën e tij hyrëse përmendi të arriturat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës si dhe foli rreth sfidave me të cilat mund të ballafaqohet administrimi i tokës në të ardhmen, duke përmendur si sfidë kryesorë varshmërinë e këtij institucioni nga ndihmat financiare të donatorëve. "Duhet rregulluar kadastrën në mënyrë vertikale, konform praktikave të shteteve të zhvilluara, sepse vetëm një rregullim i tillë më pas hap rrugën për vetëfinancimin e kadastrës përmes shitjes së produkteve dhe ofrimit të shërbimeve. Në të kundërtën, pas përfundimit të ndihmave financiare nga bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, do të ndalej mirëmbajtja e projekteve, që mund të rrezikonte edhe vetë ecurinë e tyre", tha z. Meha. Prezantime mbajtën edhe z. Afrim Berisha nga Agjencia për Mbrojtjen e Ambientit, z. Xhevdet Shala nga Agjencia Kadastrale e Kosovës si dhe z. Sami Duraku nga Komisioni për Minerale dhe Miniera. Më pas edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore përmes prezantimeve interaktive diskutuan rreth të arriturave, sfidave dhe rreth vizionit për kadastrën, pronën dhe tokën në Kosovë. Takime të këtij lloji janë të rregullta, dhe para përfundimit të takimin dhe nxjerrjes së rekomandimeve, pjesëmarrësit u pajtuan që takimi i ardhshëm të jetë në fund të prillit apo fillim të majit të vitit 2015. Organizatore e këtij takimi është Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa pjesëmarrëse në Komision janë institucione vendore të përfshira në fushën e menaxhimit të tokës si Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Zyra e Kryeministrit, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia Kosovare e Pronës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale si dhe donatorët e fuqishëm në fushën e administrimit të tokës si Banka Botërore,Qeveria Norvegjeze,GIZ,Komisioni Evropian, JICA, USAID, etj.


Ri-inxhinjerohen zyrat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës

Një nga objektivat kryesore të Agjencisë Kadastrale të Kosovës është krijimi i institucionit të avancuar të administrimit të tokës, i cili do të jatë i orientuara ndaj klientit me menaxhim modern, zhvillim institucional, procedura efikase të punës, menaxhim cilësor dhe monitorimit të brendshëm etj. Si pjesë e kësaj strategjie, Agjencia Kadastrale e Kosovës me mbështetje të Bankës Botërore ka kryer ri-inxhinierimin e 13 Zyrave Kadastrale Komunale të Kosovës, duke u siguruar të njëjtave ambiente të reja të punës si dhe pajisje të re të teknologjisë së informacionit. Po ashtu, pos investime në ri-inxhinierim të Zyrave të sipër përmendura Kadastrale Komunale, me datë 28 tetor (e martë) me qëllim të krijimit të kushteve të punës në harmoni me standardet e shteteve evropiane, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë ri-inxhinierimin e hapësirave të saja të punës. Ri-inxhinierimi ka krijuar një sistem me zyra të hapura si dhe ka përfshirë edhe furnizim me pajisje të reja të teknologjisë së informacionit. Nga një ndërmarrje e tillë pritet që të ngrihet kualiteti i të dhënave, siguria e të dhënave si dhe shkalla e transparencës si në raport mes vetë personelit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës po ashtu edhe në raport me klientët dhe shfrytëzuesit e produkteve dhe shërbimeve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ri-inxhinierimi është mbuluar nga Banka Botërore, ndërsa vlera e këtij projekti është rreth 300.000 euro. Përurimi dhe prerja solemne e shiritit u bë nga Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha dhe Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë z. Jan-Peter Olters, të cilët më pas përmes një fjale rasti folën mbi benefitet nga një projekt i tillë.


AKK bashkëpunon me FSK

Për të trajtuar temat e interesit publik, si dhe për të identifikuar fushat e interesit të përbashkët ku do të mund të ngrihej bashkëpunimi , në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim mes Kryeshefit të AKK-së Prof. Dr. Murat Meha dhe nënkolonel Hysen Gecaj  nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Temat të cilat u diskutuan kryesisht ishin nga fusha e hartografisë si dhe nga fusha e pozicionimit, respektivisht KOPOS (Pozicionimi Satelitor i Kosovës). Të dyja palët u pajtuan se nga krijimi Infrastrukturës Shtetërore të të Dhënave Hapësinore do të përfitonin të dyja institucionet duke u mundësuar shërbime efikasve qytetarëve në rraste emergjente. Para zyrtarit të FSK po ashtu u prezantuan edhe rezultatet e disa projekteve dhe shërbimeve përfshi hartën topografike, gjeoportalit, sistemin e unifikuar të adresave, etj. Takimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.