Lajme

AKK, takim pune me FSK

Agjencia Kadastrale e Kosovës në vazhdën e takimeve me pale të interesit në fushën e shkëmbimit të informacioneve kadastrale, gjeohapësinore dhe pronësore-juridike të cilat ajo i administron, është në përpjekje të vazhdueshme për zgjerimin e bashkëpunëtorëve nga institucionet publike në Republikën e Kosovës. Për këtë arsye, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka pritur në një takim pune një delegacion të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës mes të cilëve po që janë prezantuar aktivitetet e ndërsjella, janë trajtuar edhe mundësitë për shkëmbim sa më të shpejtë të informacioneve të sakta. Palët në takim janë zotuar që të ngrisin bashkëpunimin edhe në nivel profesional, krejt me qëllim të ngritjes së kualitetit të shërbimeve që u ofrojnë institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.


Master Plani i Ujitjes në Kosovës

Nën organizimin e Bankës Botërore dhe me pjesëmarrjen e Ministrit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës z. Besian Mustafa me datë 25 shkurt në Prishtinë është mbajtur punëtoria për Master Planin e Ujitjes në Kosovës. Në këtë punëtori janë prezantuar qëllimet e këtij master plani, rezultatet e pritshme prej tij, perspektivat e ujitjes dhe zhvillimet e ardhshme, pastaj përgjegjësitë institucionale dhe marrëdhëniet mes institucioneve me qëllim të implementimit të master planit e çështje të tjera të ndërlidhura me ujitjen. Ndërsa, një komponentë tjetër e punëtorisë, e rëndësisë së veçantë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës ishte edhe trajtimi i rregullimit të Komasacionit të papërfunduar të tokës në disa komuna, ku pritet që Agjencia Kadastrale e Kosovës të përkrahë projektin si me ekspertizë po ashtu edhe me rekomandime  profesionale e ligjore për mënyrat se si mund të përmbyllet me sukses kjo çështje. Në këtë punëtori Agjencia Kadastrale e Kosovës e përfaqësua nga u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe Zyrtari i Lartë Ligjor z. Nadir Shyqeriu.  


Fillon projekti SPATIAL II, takim regjional në Shkup

Agjencia Kadastrale e Kosovës është pjesëmarrëse e iniciativave të ndryshme ndërkombëtare e regjionale që kanë për qëllim avancimin në fushën e kadastrës dhe gjeoinformacionit si dhe harmonizimin e produkteve dhe shërbimeve që ofron konform atyre që ofrohen nga shtetet e BE-së. Në të kaluarën ka pasur disa projekte konkrete regjionale të cilat kanë ndihmuar institucionet për kadastër e hartografi të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në zhvillimin profesional, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e teknologjike, në ngritjen e aplikacioneve të ndryshme gjeohapësinore si projekti IMPULS, ai INSPIRATION e ngjashëm, ndërsa aktualisht është aprovuar edhe vazhdimi i projektit SPATIAL, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës. Për të trajtuar specifikat, nevojat dhe kërkesat për mbështetje të shteteve të regjionit në kuadër të projektit SPATIAL me datë 5 dhe 6 shkurt në Shkup është duke u mbajtur një takim gjithëpërfshirës pune mes përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për kadastër të shteteve të regjionit dhe përfaqësuesve të autoritetit holandez për kadastër "Dutch Cadastre". Në takimin në fjalë, përfaqësues të kadastrës holandeze kanë treguar se qëllimi i projektit SPATIAL do të jetë organizimi i punëtorive të përbashkëta mes shteteve të regjionit, organizimi i vizitave të përbashkëta studimore me qëllim të shkëmbimit të njohurive, ofrimi i ekspertizës holandeze në fusha specifike, si dhe avancimi i shteteve të regjionit në fushën e gjeoinformacionit konform kërkesave ndërkombëtare UN-GGIM dhe IGIF. Në takimin në Shkup Agjencia Kadastrale e Kosovës është duke u përfaqësuar nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti, nga Drejtoresha e Drejtorisë për Teknologji të Informacionit z-nja Afërdita Thaçi, nga u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe nga Udhëheqësi i Njësisë për Implementimin e Projekteve z. Muzafer Çaka, të cilët pos që do të prezantojnë mbi aktivitetet AKK-së po ashtu do të tregojnë edhe interesat e AKK-së në kuadër të projektit SPATIAL.


AKK, takim me ndërmjetësuesit e licencuar

Agjencia Kadastrale e Kosovës, në vazhdën e zgjerimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve, mban takime të rregullta me palë të interesit. Për këtë arsye, me datë 6 shkurt në ambientet e AKK-së është mbajtur takim mes Kryeshefit Ekzekutiv z. Avni Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij nga Drejtoria Ligjore dhe përfaqësues të Ndërmjetësuesve të Licencuar të prirë nga Kryetari i Odës së Ndërmjetësuesve z. Faton Morina po ashtu i shoqëruar nga bashkëpunëtor. Duke i konsideruar Ndërmjetësuesit e Licencuar si palë e fuqishme e interesit në regjistrim të të drejtave pronësore, z. Ahmeti në takim bëri një prezantim të mandatit dhe përgjegjësive të AKK-së dhe prezantim të projekteve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me regjistrimin i të drejtave pronësore, si dhe identifikuan fushat ku përfshirja e Ndërmjetësuesve do të mund të lehtësonte regjistrimin e të drejtave pronësore. Edhe z. Morina nga ana e tij prezantoi mandatin dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve, si dhe foli mbi fushat se ku ndërmjetësimi do të mund të ndihmonte regjistrimin e pronës. Palët në takim u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin, ndërsa Rindërtimin e Informacioneve Kadastrale e identifikuan si fushë ku bashkëpunimi do të mund të konkretizohej, respektivisht në transaksionet nga e kaluara që janë bërë me shtrëngim duarsh dhe në rastet kur nuk është e rregulluar trashëgimia.


UN HABITAT, takim pune në AKK

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka ndërmarrë iniciativa të shpeshta për përfshirjen e Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovës, kjo pasi që si pasojë e mosfunksionalizimit të këtij sistemi në këto zyra, respektivisht mosfunksionimi i Zyrave Kadastrale në këto Komuna, ka bërë që qytetarët të mos kenë mundësi të pajisen me dokumente zyrtare kadastrale dhe pronësore-juridike, dhe rrjedhimisht të mos kenë mundësi të përfitojnë nga prona e regjistruar në kadastër Me qëllim të tejkalimit të kësaj situate Agjencia Kadastrale e Kosovës ka mbajtur disa takime me zyrtarë të këtyre tre Komunave, gjatë të cilave takime i kanë inkurajuar që të përfshihen në sistemin zyrtar kadastral të Republikës së Kosovës, duke ua bërë me dije se nga një proces i tillë përfitues ekskluziv do të ishin vetë qytetarët e këtyre komunave. Si rezultat i atyre takimeve, AKK në bashkëpunim me UN HABITAT ka paraparë mbajtjen e një takimi mes ekspertëve të AKK-së dhe zyrtarëve përgjegjës për kadastër në ato Komuna gjatë të cilit do të bisedohet rreth fushave të interesit të përbashkët dhe do të prezantohet Sistem i Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë. Ndërsa për të detajuar agjendën e takimit dhe për të diskutuar rreth detajeve të interesit për këtë takim, sot në AKK ka qënduar edhe përfaqësuesja e UN HABITAT, e cila është pritur nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti dhe u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj.