Lajme

Monitorim i aktiviteteve rreth adresave

Një ekip ekspertësh të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të prirë nga z. Besmir Veselaj, Menaxheri i projektit për vendosjen e shenjave me emra rrugësh i cili është duke u zbatuar në katër Komuna, respektivisht Klinë, Pejë, Kamenicë dhe Gjilan, dhe z. Berat Preniqi, ekspert brenda njësisë së adresave në AKK, kanë monitoruar implementimin e projektit në terren. Konkretisht, ekspertët e Agjencisë kanë dalë në terren në Komunën e Gjilanit, ku për së afërmi kanë parë vendosjen e shtyllave me emra rrugësh. Po ashtu, ekspertët e Agjencisë kanë biseduar edhe rreth sfidave me të cilat po ballafaqohet operatori ekonomik gjatë vendosjes së shtyllave në terren, dhe kanë identifikuar masat që duhet marrë për tejkalimin e këtyre sfidave.   


Matjet gravimetrike, aktivitet në terren

Agjencia Kadastrale e Kosovës si institucion qendror për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e rrjetave gjeodezike ka ndërmarrë aktivitetet e zhvillimit te rrjetit gravimetrik për tërë territorin e Republikës së Kosovës. Për të kompletuar zhvillimin e rrjetit gravimetrik në tërë territorin e Kosovës, AKK këtë vit do të përfundojë projektin-fazën e parë për Rrjetin Gravimetrik. Ndërsa, aktualisht në kuadër të projektit janë duke u realizuar matjet gravimetrike të 12 pikave të Rendit të Parë. Matjet bëhen me dy instrumente të teknologjisë së avancuar për matje relative gravimetrike (CENTREX C5). Po ashtu në kuadër të projektit pos matjes së 12 Pikave Gravimetrike të Rendit të Parë që mbulojnë tëre territorin e Kosovës, do të bëhet edhe ndërtimi dhe matja e 6 pikave Ekscentrike rreth pikave të Rendit 0 në Prishtinë dhe Prizren, si dhe matja e 200 pikave gravimetrike të rendit të dytë në regjionin e Prishtinës (shpërndarja e pikave të rendit të dytë do të jetë metodë e kombinuar, çdo 2 km 150 pika si dhe çdo 5 km 50 pika.  


Rindërtimi i informacioneve kadastrale në 4 Komuna

Në kuadrin e projekteve kapitale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës për këtë vit është paraparë edhe projekti Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale në 15 zona kadastrale  për Komunat Drenas, Skënderaj, Kamenicë dhe Viti, respektivisht në Zonat Kadastrale Sllatinë, Zhiti, Pozheran, Sadovina e Jerlive, Hodonovc, Rogoqicë, Muqivercë, Koperrnicë, Berivojcë, Çirez, Baks, Dashevc, Kosterc, Arllat, Shtuticë. Për këtë arsye, në një takim mes përfaqësuesve të operatorit ekonomik dhe u.d Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës është nënshkruar edhe marrëveshja për implementimin e këtij projekti. Përndryshe, përmes Rindërtimit të Informacioneve Kadastrale synohet harmonizimi i gjendjes kadastrale në terren me gjendjen në regjistrat pronësorë.


“Iber Lepenci”, takim pune në AKK

Duke e konsideruar bashkëpunimin si një mjet për identifikimin dhe tejkalimin e sfidave, rrjedhimisht ngritjen e kualitetit të shërbimeve që institucionet publike ua ofrojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës është duke u përkushtuar në zgjerimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve. Me këtë rast, u.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti priti në takim pune edhe përfaqësuesit e ndërmarrjes "Ibër – Lepenci", respektivisht Drejtorin Teknik z. Demë Abazi me bashkëpunëtorët z. Ernest Kerqeli dhe z. Fadil Shehu. Në takim u diskutua rreth aktiviteteve aktuale në institucionet përkatëse, si dhe u diskutua rreth mënyrës së shpërndarjes së të dhënave gjeohapësinore të interesit, duke identifikuar mënyrat më të shpejta për këtë gjë. Në fund t takimit Kryeshefi i AKK z. Ahmeti, informoi delegacionin me mundësitë që ofron Gjeoportali Shtetërorë si vegël për grumbullimin dhe shpërndarjen e të dhënave.

 

 


ZKK Vushtrri, vizitë në AKK

U.D Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti priti në takim pune një delegacion dy anëtarësh të Zyrës Kadastrale Komunale të Vushtrrisë, respektivisht drejtorin e drejtorisë për kadastër në këtë Komunë z. Adnan Lahu me bashkëpunëtorin z. Bedri Dobra. Në takim u bisedua rreth sfidave me të cilat institucionet ballafaqohen gjatë kryerjes së punëve të përditshme, ndërsa tema kryesore e takimit ishte rregullimi i sfidave pronësorë me pronat që shtrihet gjatë magjistrales Prishtinë - Mitrovicë.  Përfaqësuesit e nivelit lokal dhe qendror në fushën e administrimit të tokës, kadastrës dhe pronës u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin krejt me qëllim të zgjidhjes së shpejtë dhe eliminimit të problemeve pronësore për rrugën e sipërpërmendur.