Lajme

Ri-inxhinjerimi i ZKK Vushtrri

Duke aspiruar ngritjen e kualitetit të shërbimeve të cilat Zyrat Kadastrale Komunale ofrojnë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka trajtuar secilën mënyrë për ofrimin e ndihmës adekuate për këto zyra. Kjo është arritur si përmes investimeve në trajnime për stafin Komunal që kryen punë kadastrale po ashtu edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta në ngritjen e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale nëpër Zyrat Kadastrale Komunale. Së fundmi Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahje të Autoritetit Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi "Kartveket" ka financuar ri-inxhinjerimin e Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri. Si pjesë e investimeve të cilat janë mbuluar me projektin e ri-inxhinjerimit të Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri janë punët renovuese, sistemi i ri i nxehjes, ventilimi ri, mbrojtja nga zjarri, arkivi, orenditë, dhe pajisjet e TI-së të cilat nevojiten për të siguruar një rrjedhë efikase të punës për stafin e Zyrës Kadastrale Komunale. Objektiv i ri-inxhinjerimit është që të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve dhe të përdoret organizimi i ri me zyrë pritëse/operuese dhe procedurat e standardizuara, në mënyrë që transaksionet të jenë më sistematike, efikase dhe transparente. Duke u nisur nga fakti që AKK deri më sot ka investuar në ri-inxhinjerimin e 20 Zyrave Kadastrale Komunale në territorin e Republikës së Kosovës, pritjet janë që edhe në Vushtrri të ngrihet kualiteti i shërbimeve, transparenca gjatë ofrimit të shërbimeve si dhe të përmirësohen kushtet gjatë ofrimit dhe shfrytëzimit të shërbimeve kadastrale si për punëtorët në këto zyra po ashtu edhe për qytetarët që u drejtohen atyre. Ndërsa, me datë 21 mars, me qëllim të monitorimit të aktivitete të përfunduara gjatë ri-inxhinjerimit në ZKK Vushtrri, kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti me bashkëpunëtore ka vizituar Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri  kanë vizituar zyrat subjekt i ri-inxhinjerimit. Gjatë inspektimin është konstatuar se kompania implementuese e projektit i është përmbajtur planit dinamik, ndërsa hapja ceremoniale e këtyre zyrave të reja pritet të bëhet gjatë muajit prill.

   


AKK, takim me Agjencinë për Barazi Gjinore

Me qëllim të lehtësimit të qasjes së grave në të drejta pronësore, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka implementuar një varg projektesh e fushatash për inkurajimin e grave për regjistrim të të drejtave pronësore. Po ashtu, Agjencia Kadastrale e Kosovës është pjesë e nismave të ndryshme vendore e regjionale për avancim të të drejtave pronësore për grupet potencialisht të margjinalizuara duke përfshirë edhe gratë, ndërsa një prej bashkëpunëtorëve më të fuqishëm në këtë fushë është edhe Agjencia për Barazi Gjinore. Për këtë arsye, me datë 21 Mars në ambientet e Agjencisë është mbajtur një takim pune mes ekspertëve të AKK, respektivisht kreut të AKK z. Avni Ahmeti, ekspertëve ligjorë z. Bashkim Shaqiri dhe z-nja Edona Kutllovci, zyrtarja për barazi gjinore në AKK z-nja Ibadete Rexhepi, me Kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore z- njën Edi Gusia edhe eksperten për barazi gjinore z-njën Leonora Sylejmani. Tema kryesore e takimit ishte rreth ndikimit që Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2016 për Masat e Veçanta për Regjistrim të Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në Emër të dy Bashkëshortëve. Në takim u prezantuan statistikat dhe përqindjet e grave pronare në nivel shteti, u identifikuan sfidat me të cilat ballafaqohen gratë si rezultat i mos posedimit të pronës, benefitet nga një pronë e regjistruar në kadastër e ngjashëm. Për fund, duke marrë për bazë se udhëzimi i sipërpërmendur administrativ skadon në muajin Prill 2019, u trajtuan edhe mundësitë për zgjatjen e ligjshmërisë së këtij udhëzimi edhe për një vit.  


Komiteti drejtues i projektit Pro Tax 2

Komiteti Drejtues i Projektit Pro Tax 2 ka mbajtur sot takimin e radhës të kryesuar nga ministri i Financave Bedri Hamza. Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu, përfaqësuesit e Ambasadës suedeze në Kosovë, përfaqësues të SIDAS-së, si dhe kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti. Në këtë takim pjesëmarrësit i vlerësuan lartë rezultatet e arritura të Projektit Pro Tax 2, me theks të veçantë implementimin e tatimit në toka, si një nga reformat më të rëndësishme për komunat e Kosovës. Me këtë rast ministri Bedri Hamza duke falënderuar partnerët nga Ambasada suedeze dhe SIDA suedeze për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë projekt ai theksoi se Ministria e Financave i ka kushtuar vëmendje të shtuar reformës së tatimit në pronë, me fokus të veçantë në zbatimin e tatimit në tokë, për shkak të rëndësisë madhore të këtij projekti për komunat e Kosovës dhe jo vetëm. Sipas tij edhe pse është një proces teknikisht shumë sfidues, mund të them se ja kemi dalë të fillojmë implementimin e tatimit në toka. "Jemi në rrugë të mbarë për sa i përket plotësimit të kuadrit ligjor me aktet e nevojshme nënligjore. Para dy javësh është miratuar një akt tjetër nënligjor mjaft i rëndësishëm për procesin, Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Ankimit. Udhëzimi ka një rëndësi themelore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve si dhe përmirësimin e mëtejmë të të dhënave në regjistrat e tatimit në pronë", shtoi Ministri Hamza.


AKK, avancim i adresave në Suharekë

Me qëllim të avancimit të sistemin të unifikuar të adresave i cili administrohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ndërsa mirëmbahet nga Komunat, sot në ambientet e AKK-së është mbajtur një takim pune mes përfaqësuesve të Agjencisë, respektivisht kreut të saj z. Avni Ahmeti i shoqëruar edhe nga u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe eksperti ligjor z. Bashkim Shaqiri me Drejtoreshën e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Suharekës z-njën Sanie Kuqi dhe ekspertin për zyrtarin e lartë për mbrojtje të ambientit në këtë Komunë z.Isuf Hajdaraj. Pas prezantimeve të aktiviteteve të dyanshme, takimi vazhdoi me temën kryesore të interesit të përbashkët, respektivisht për vendosjen e tabelave me emra rrugësh për një pjesë të rrugëve të kësaj Komune të cilat kanë pësuar ndryshime, si dhe trajtimin e mundësive për financim në vendosjen e numrave të shtëpive si komponentë e rëndësishme për të konsideruar një adresë si të plotë. Z. Ahmeti premtoi se do të trajtojë të gjitha mundësitë për të implementuar këtë projekt në Komunën e Suharekës, duke e ditur se përfitues kryesor nga një projekt i tillë do ishin vetë qytetarët e Komunës së Suharekës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

 


Kadastra e prona, takim në AKK

Në procesin e ngritjes së bashkëpunimit mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe përfaqësuesve të Komunave të Republikës së Kosovës, me datë 20 Mars 2019, në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur takim trepalësh pune mes kreut të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe eksperti ligjor z. Bashkim Shaqiri, Drejtoreshës së Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës z-nja Valbonë Osmani dhe Drejtorit të Drejtorisë për Pronë në Komunën e Prishtinës z. Brahim Mehmetaj. Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i mundësive për evidentimin e pronave komunale dhe ofrimin e titullarëve të të gjitha pronave në Komunën e Prishtinës, përmes Sistemit të Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, në përputhje me Ligjin për Prishtinën. Z. Ahmeti premtoi të gjitha kapacitetet teknike dhe profesionale për të plotësuar nevojat e Komunës, në pajtim edhe me legjislacionin në fuqi, ndërsa palët u pajtuan që takimet intensive të vazhdojnë në nivel teknik, që sa më parë të gjendet një zgjidhje për çështjet e ngritura në takim.