Lajme

Një delegacion i Bankës Botërore viziton Kosovën

Si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë e produktiv mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, respektivisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Bankës Botërore në fushën e administrimit të pronës, një delegacion i lartë i Bankës Botërore i përbërë nga z-nja Anna Wellenstein, (Drejtoreshë për praktikat globale për çështje sociale, urbane, rurale), z. Jorge Munoz (Menaxher për praktikat globale për çështje sociale, urbane, rurale) dhe z. Marco Mantovanelli, Drejtor i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, ka vizituar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Komunën e Shtimes së një nga komunat përfituese të projekteve të financuara nga projekti RECAP i Bankës Botërore. Delegacioni i Bankës Botërore në aktivitetet e ngjeshura është shoqëruar nga z-nja Albena Reshitaj, Ministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe nga z. Avni Ahmeti, u.d Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Gjatë takimeve dinamike në MMPH, në Komunën e Shtimes dhe në AKK janë zhvilluar prezantime të shumta profesionale, janë prezantuar të arriturat dhe sfidat në administrimin e tokës si dhe janë identifikuar fushat ku një bashkëpunim i tillë do të mund të thellohej. Pos aspektit profesional kadastral, fokus i takimeve ka qenë edhe çështja e përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore në shfrytëzimin e të drejtave pronësore nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.


Takim AKK-ZKK Prishtinë

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Prof. Dr. Murat Meha prit në takim pune Drejtoreshën e Zyrës Kadastrale të Komunës së Prishtinës Z-njën Nora Kelmendi dhe Nënkrytearin e Komunës z. Muhedin Nushi. Qëllimi i takimit ishte identifikimi i fushave të interesit për qytetarët ku bashkëpunimi mes dy institucioneve do të mund të avancohej. Theks i takimit ishte implementimi i e-kioskës për dokumentacion pronësorë, ngjashëm si është implementuar në Komunën e Vitisë nga një bashkëpunim mes ZKK Viti, Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Programit të USAID për të drejta pronësore.  Palët u pajtuan që ditëve në vijim bashkëpunimi të intensifikohet edhe në nivel ekspertësh, që një projekt i tillë të implementohet sa më parë në Komunën e Prishtinës.


Termokosi, vizitë në AKK

Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së, Prof. Dr. Murat Meha priti në një takim pune përfaqësueses të „Termokosit", respektivisht Kryeshefin Ekzekutiv z. Naser Canollin dhe ing. Arsim Fetahin. Temë e takimin ishte identifikimi i fushave ku bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse do të mund të intensifikohej, me theks të veçantë shkëmbimi i të dhënave gjeohapësinore mes institucioneve në fjalë, krejt me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kryeshefi i AKK prezantoi aktivitetet dhe projektet e AKK- në fushën e infrastrukturës së të dhënave hapësinore, dhe informoi z. Canolli dhe z. Fetahi se infrastruktura e krijuar nga AKK, përfshi edhe Gjeoportalin shtetërorë, janë në funksion dhe në dispozicion të institucioneve publike.


AKK, takim me ZKK Rahovec

Një ekip nga Drejtoria për Kadastër e Komunën e Rahovecit i përbërë nga drejtori i kësaj drejtorie dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv Prof. Dr. Murat Meha dhe Drejtori i Drejtoratit për Kadastër z. Avni Ahmeti. Në takim pos prezantimit të punëve të përgjithshme nga institucionet përkatëse u diskutua edhe për disa çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me këtë Komunë, përfshi futjen e të dhënave nga Komasacioni në Hartën Kadastrale të Sistemit të Informacioneve Kadastrale të Tokës në Kosovë, (SIKTK-HK), shërbimet që kjo zyrë kadastrale u ofron gjeodetëve të licencuar, si dhe trajtimi i mundësive për rritjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve krejt me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore kadastrale.


Studentët vizitojnë AKK-në

Një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Departamenti i Gjeodezisë kanë qëndruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku kanë pasur mundësinë që praktikisht të njihen me punët profesionale në fushën e kadastrës, hartografisë dhe gjeoinformacionit.  Gjatë qëndrimit të studentëve në AKK, Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së Prof. Dr. Murat Meha dhe ekspertë të GIS-it, Hartografisë dhe Kadastrës në AKK, kanë mbajtur prezantime profesionale, si dhe përmes bisedave interaktive studentëve u janë sqaruar çështje të interesit për ta. Po ashtu, përveç prezantimeve, studentët kanë pasur mundësi që përmes vizitave të drejtorive të ndryshme në AKK, në kohë reale të shohin kryerjen e punëve të përditshme në AKK në fushën e administrimit të tokës.