Lajme

Fillon projekti SPATIAL II, takim regjional në Shkup

Agjencia Kadastrale e Kosovës është pjesëmarrëse e iniciativave të ndryshme ndërkombëtare e regjionale që kanë për qëllim avancimin në fushën e kadastrës dhe gjeoinformacionit si dhe harmonizimin e produkteve dhe shërbimeve që ofron konform atyre që ofrohen nga shtetet e BE-së. Në të kaluarën ka pasur disa projekte konkrete regjionale të cilat kanë ndihmuar institucionet për kadastër e hartografi të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në zhvillimin profesional, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e teknologjike, në ngritjen e aplikacioneve të ndryshme gjeohapësinore si projekti IMPULS, ai INSPIRATION e ngjashëm, ndërsa aktualisht është aprovuar edhe vazhdimi i projektit SPATIAL, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës. Për të trajtuar specifikat, nevojat dhe kërkesat për mbështetje të shteteve të regjionit në kuadër të projektit SPATIAL me datë 5 dhe 6 shkurt në Shkup është duke u mbajtur një takim gjithëpërfshirës pune mes përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për kadastër të shteteve të regjionit dhe përfaqësuesve të autoritetit holandez për kadastër "Dutch Cadastre". Në takimin në fjalë, përfaqësues të kadastrës holandeze kanë treguar se qëllimi i projektit SPATIAL do të jetë organizimi i punëtorive të përbashkëta mes shteteve të regjionit, organizimi i vizitave të përbashkëta studimore me qëllim të shkëmbimit të njohurive, ofrimi i ekspertizës holandeze në fusha specifike, si dhe avancimi i shteteve të regjionit në fushën e gjeoinformacionit konform kërkesave ndërkombëtare UN-GGIM dhe IGIF. Në takimin në Shkup Agjencia Kadastrale e Kosovës është duke u përfaqësuar nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti, nga Drejtoresha e Drejtorisë për Teknologji të Informacionit z-nja Afërdita Thaçi, nga u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe nga Udhëheqësi i Njësisë për Implementimin e Projekteve z. Muzafer Çaka, të cilët pos që do të prezantojnë mbi aktivitetet AKK-së po ashtu do të tregojnë edhe interesat e AKK-së në kuadër të projektit SPATIAL.


AKK, takim me ndërmjetësuesit e licencuar

Agjencia Kadastrale e Kosovës, në vazhdën e zgjerimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve, mban takime të rregullta me palë të interesit. Për këtë arsye, me datë 6 shkurt në ambientet e AKK-së është mbajtur takim mes Kryeshefit Ekzekutiv z. Avni Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij nga Drejtoria Ligjore dhe përfaqësues të Ndërmjetësuesve të Licencuar të prirë nga Kryetari i Odës së Ndërmjetësuesve z. Faton Morina po ashtu i shoqëruar nga bashkëpunëtor. Duke i konsideruar Ndërmjetësuesit e Licencuar si palë e fuqishme e interesit në regjistrim të të drejtave pronësore, z. Ahmeti në takim bëri një prezantim të mandatit dhe përgjegjësive të AKK-së dhe prezantim të projekteve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me regjistrimin i të drejtave pronësore, si dhe identifikuan fushat ku përfshirja e Ndërmjetësuesve do të mund të lehtësonte regjistrimin e të drejtave pronësore. Edhe z. Morina nga ana e tij prezantoi mandatin dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve, si dhe foli mbi fushat se ku ndërmjetësimi do të mund të ndihmonte regjistrimin e pronës. Palët në takim u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin, ndërsa Rindërtimin e Informacioneve Kadastrale e identifikuan si fushë ku bashkëpunimi do të mund të konkretizohej, respektivisht në transaksionet nga e kaluara që janë bërë me shtrëngim duarsh dhe në rastet kur nuk është e rregulluar trashëgimia.


UN HABITAT, takim pune në AKK

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka ndërmarrë iniciativa të shpeshta për përfshirjen e Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovës, kjo pasi që si pasojë e mosfunksionalizimit të këtij sistemi në këto zyra, respektivisht mosfunksionimi i Zyrave Kadastrale në këto Komuna, ka bërë që qytetarët të mos kenë mundësi të pajisen me dokumente zyrtare kadastrale dhe pronësore-juridike, dhe rrjedhimisht të mos kenë mundësi të përfitojnë nga prona e regjistruar në kadastër Me qëllim të tejkalimit të kësaj situate Agjencia Kadastrale e Kosovës ka mbajtur disa takime me zyrtarë të këtyre tre Komunave, gjatë të cilave takime i kanë inkurajuar që të përfshihen në sistemin zyrtar kadastral të Republikës së Kosovës, duke ua bërë me dije se nga një proces i tillë përfitues ekskluziv do të ishin vetë qytetarët e këtyre komunave. Si rezultat i atyre takimeve, AKK në bashkëpunim me UN HABITAT ka paraparë mbajtjen e një takimi mes ekspertëve të AKK-së dhe zyrtarëve përgjegjës për kadastër në ato Komuna gjatë të cilit do të bisedohet rreth fushave të interesit të përbashkët dhe do të prezantohet Sistem i Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë. Ndërsa për të detajuar agjendën e takimit dhe për të diskutuar rreth detajeve të interesit për këtë takim, sot në AKK ka qënduar edhe përfaqësuesja e UN HABITAT, e cila është pritur nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti dhe u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj.


AKK-JICA, vazhdon bashkëpunimi

Agjencia Kadastrale e Kosovës me 21 janar të këtij viti kishte marrë përgjigje pozitive nga JICA për mbështetje financiare dhe me ekspertizë për realizimin e projektit për gjeneralizimin e hartave topografike me shkallë të vogla. Për këtë projekt të cilin AKK e ka konsideruar si të rëndësisë së madhe, pranë JICA-s ishte aplikuar gjatë vitit 2018 ndërsa pas aprovimit të kërkesës, është filluar me implementimin e projektit. Për këtë arsye në AKK është duke qënduar edhe eksperti i hartografisë i angazhuar nga JICA z. Isobe Kohei i cili do të trajnojë stafin e AKK-së në fushën e gjeneralizimit të hartave topografike. Po ashtu, eksperti i JICA sot mbajti edhe një prezantim profesional të punëve që duhet ndërmarrë me qëllim të gjeneralizimit të hartave. Përndryshe, AKK dhe JICA edhe në të kaluarën kanë pasur bashkëpunim të frytshëm, si rezultat i të cilit edhe është zhvilluar harta topografike 1:25.000 për tërë territorin e Republikës së Kosovës.


Policia e Kosovës, takim pune në AKK

Agjencia Kadastrale e Kosovës duke ushtruar mandatin e saj si administratore e regjistrave pronësorë dhe si koordinatore e infrastrukturës kombëtare për informacione hapësinore në baza të rregullta mban takime me palë të interesit gjatë të cilave ofron si ekspertizat e saja në fushën e kompetencave të cilat ushtron po ashtu edhe informacione mbi të dhënat të cilat administron. Për këtë arsye me datë 2 shkurt në ambientet e AKK-së është mbajtur takim mes Kryeshefit Ekzekutiv të AKK-së z. Avni Ahmeti dhe u.d Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj kanë pritur përfaqësues të Policisë së Kosovës , respektivisht z. Shahin Ahmeti dhe z. Çlirim Hajdari. Tema e takimit ishte identifikimi i fushave të interesit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të intensifikohej, me theks të veçantë identifikimi dhe shfrytëzimi i të gjithë pronave të Policisë së Kosovës që aktualisht figurojnë si pronë shtetërore. Në takim, ekzekutivi i AKK-së u zotua të ofrojë informacionet e kërkuara dhe dyja palët shprehën gatishmërinë që të ofrojnë informacione të ndërsjella të kontribuojnë në ngritjen e shkallës së bashkëpunimit mes tyre.