Lajme

AKK, takim me ZKK Rahovec

Një ekip nga Drejtoria për Kadastër e Komunën e Rahovecit i përbërë nga drejtori i kësaj drejtorie dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv Prof. Dr. Murat Meha dhe Drejtori i Drejtoratit për Kadastër z. Avni Ahmeti. Në takim pos prezantimit të punëve të përgjithshme nga institucionet përkatëse u diskutua edhe për disa çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me këtë Komunë, përfshi futjen e të dhënave nga Komasacioni në Hartën Kadastrale të Sistemit të Informacioneve Kadastrale të Tokës në Kosovë, (SIKTK-HK), shërbimet që kjo zyrë kadastrale u ofron gjeodetëve të licencuar, si dhe trajtimi i mundësive për rritjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve krejt me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore kadastrale.


Studentët vizitojnë AKK-në

Një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Departamenti i Gjeodezisë kanë qëndruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku kanë pasur mundësinë që praktikisht të njihen me punët profesionale në fushën e kadastrës, hartografisë dhe gjeoinformacionit.  Gjatë qëndrimit të studentëve në AKK, Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së Prof. Dr. Murat Meha dhe ekspertë të GIS-it, Hartografisë dhe Kadastrës në AKK, kanë mbajtur prezantime profesionale, si dhe përmes bisedave interaktive studentëve u janë sqaruar çështje të interesit për ta. Po ashtu, përveç prezantimeve, studentët kanë pasur mundësi që përmes vizitave të drejtorive të ndryshme në AKK, në kohë reale të shohin kryerjen e punëve të përditshme në AKK në fushën e administrimit të tokës. 


Modeli për shkëmbim të të dhënave

Agjencia Kadastrale e Kosovës, si koordinatore e Infrastrukturës Shtetërore për të Dhëna Hapësinore (NSDI) në Republikën e Kosovës, me datën 15 dhe 16 maj 2018 ka mbajtur një Punëtori  dyditore kushtuar modelit për shkëmbim të të dhënave gjeohapësinore.  Në fitën e parë të punëtorisë kanë marrë pjesë vetëm personeli i AKK-së, ndërsa duke e konsideruar një gjë të tillë si të interesit për të gjitha institucionet që në njëfarë mënyre merren me krijimin, mirëmbajtjen ose shfrytëzimin e të dhënave gjeohapësinore, në ditën e dytë të Punëtorisë kanë marrë pjesë përfaqësues të disa institucioneve publike para të cilëve ekspertët e autoritetit suedez për kadastër, hartografi dhe NSDI "Lantmateriet" kanë mbajtur disa prezantime në lidhje me obligimet e institucioneve publike për shkëmbim të të dhënave hapësinore, si dhe kanë prezantuar modelet suedeze për shkëmbim të të dhënave mes institucioneve publike në Suedi. Punëtoria është zhvilluar në kuadër të Projektit IMPULS, i cili konsiston me harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të Ballkanit Perëndimorë me ato të shteteve anëtare të BE-së. 

 


AKK merr pjesë në Asamblenë e Eurogeographics

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha është duke marrë pjesë në Asamblenë e Jashtëzakonshme Vjetore të "Eurogeographics", trup ky i përbërë nga të gjitha autoritetet për kadastër, pronë dhe hartografi në shtetet e Evropës ku si anëtare e barabartë është edhe Republika e Kosovës përfaqësuar përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Në këtë Asamble të jashtëzakonshme e cila është duke u mbajtur në Leuven të Belgjikës,  pritet që të prezantohen zhvillimet dhe avancimet në administrimin e tokës në përgjithësi, dhe kadastrës, hartografisë dhe regjistrave pronësorë në veçanti. Prof. Dr. Murat Meha në këtë asamble pritet të prezantojë të arriturat e Agjencisë në fushën e administrimit të tokës, sfidat me të cilat Agjencia ballafaqohet si dhe vizionin e AKK për të ardhmen. Po ashtu, duke marrë parasysh se në këtë takim pritet të marrin pjesë ekspertët me renome botërore në fushat e sipër përmendura, edhe shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave mes përfaqësuesve të shteteve të ndryshme do të jetë e interesit të veçantë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës.


AKK-AKP, takim për ngritjen e bashkëpunimit

Me qëllim të ngritjes së shkallës së bashkëpunimit mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit një delegacion i kësaj të dytës në përbërje z-nja Valbona Dibra (Zëvendës Drejtoreshë Menaxhuese), z. Avni Jashari (Zëvendës Drejtor Menaxhues) dhe z. Bajram Zejnullahu (Zëvendës Kryesues dhe Drejtor në Bordin e Drejtorëve) qëndroi në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv Prof. Dr. Murat Meha dhe Drejtori i Ligjor z. Ismet Kryeziu. Duke e ditur ndërlidhjen që këto institucione kanë mes vete madje shpesh edhe në baza të ditore, tema e takimit ishte rreth sfidave që hasen gjatë punëve të përditshme, respektivisht identifikimi i masave që duhet ndërmarrë që do të kishin për synim shpërndarjen sa më të shpejtë dhe të saktë të informacioneve pronësore e kadastrale të ofruara nga Zyrat Kadastrale Komunale për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe anasjelltas. Përfaqësues të dy institucioneve u pajtuan se nga një intensifikim i bashkëpunimit mes tyre, do të përfiton si institucionet po ashtu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës.