Lajme

AKK prezanton në konferencën regjionale për kadastër

Nën organizimin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Sllovenisë dhe me pjesëmarrjen e autoriteteve për kadastër, për hartografi dhe për të dhëna gjeohapësinore nga shtete të regjionit, përfshi edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në Velenje të Sllovenisë është mbajtur Konferenca e 14 Regjionale për Kadastër dhe për Gjeoinformacion. Në këtë konferencë Agjencia Kadastrale e Kosovës e përfaqësuar nga Drejtori i Drejtorisë për Kadastër dhe nga Udhëheqësi i Njësisë për Implementimin e Projekteve z. Avni Ahmeti dhe z. Muzafer Çaka ka mbajtur edhe prezantimin kushtuar gjendjes aktuale në kadastër dhe në infrastrukturën gjeohapësinore, të arrituar e sfidat në këtë fushë si dhe vizionin për të ardhmen.

   


Pas aprovimit të Ligjit, AKK organ kompetent për IKIH

Me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës respektivisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës kohë më parë ka aprovuar Ligjin Nr. 08/L-010 për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor (IKIH) në Republikën e Kosovës i cili është publikuar në gazetën zyrtare më datë 04.07.2022 dhe ka hyrë në fuqi 15 nga dita e publikimit në gazetën zyrtare, me datë 19.07.2022. Implementimi i konceptit të IKIH është i një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës pasi vendi përditë e më shumë po ballafaqohet me rritje të kërkesës për të dhëna gjeohapësinore të cilat janë të nevojshme për planifikim dhe vendim-marrje. Bazuar në ligjin e sipërpërmendur Agjencia Kadastrale e Kosovës është pika qendrore për themelimin dhe koordinimin e IKIH.


Trajnim për adresa

Agjencia Kadastrale e Kosovës si organ kompetent për krijimin e sistemit të unifikuar të adresave në kuadër të projektit për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër dhe për infrastrukturë gjeohapësinore (REGIP), huamarrje kjo nga Banka Botërore, ka paraparë edhe aktivitetin për kompletimit të Sistemit të Adresave. Me qëllim të parapërgatitjes së zyrtarëve komunal për përkrahje të këtij aktiviteti kapital, AKK ka organizuar trajnim për zyrtarët e urbanizmit të komunave Gjilan, Suharekë, Deçan, Novobërdë dhe Junik. Qëllimi i trajnimit është të u ofroj zyrtarëve komunal njohuri rreth mirëmbajtjes së të dhënave të adresave përmes aplikacionit Sistemi i Informacioneve për Regjistrin e Adresave (SIRA). Trajnimet do të vazhdojnë edhe për zyrtarët e Drejtorive për Urbanizëm nëpër Komunat tjera.


AKK merr pjese në Forumin Botëror Gjeohapësinor

 
Forumi Botëror Gjeohapësinor (GWF) është platforma premium e industrisë gjeohapësinore që lidh profesionistë dhe drejtues që përfaqësojnë të gjithë ekosistemin gjeohapësinor. Natyra e saj bashkëpunuese dhe ndërvepruese e ka bërë GËF një 'konferencë konferencash', duke ofruar përvojë unike për profesionistët e gjeohapësirës në mbarë botën. I ndjekur nga i gjithë spektri i komunitetit IT dhe ai gjeohapësinor globalisht, GWF është vendi për t'u parë, për të ekspozuar produkte dhe teknologji të reja dhe për të krijuar lidhje të jashtëzakonshme me vendimmarrësit e lartë, udhëheqësit e mendimit dhe novatorët në industri. GWF do të vazhdojë të lehtësojë angazhimin bashkëpunues midis komuniteteve, duke demonstruar vizion kolektiv dhe të përbashkët drejt industrive inovative. Këtë vit Forumi Gjeohapësinor Botëror është organizuar në Amsterdam të Holandës nga 7 deri 12 Maj 2022. Duke parë sfidat botërore përfshirë edhe Covid 19, tema e kësaj konference ishte "Gjeografia dhe Humanitet". Qëllimi i kësaj teme ishte se si Gjeografia i shërben humanitetit, duke pasur parasysh që 85 % e informacioneve janë me karakter gjeohapësinor. Duke parë rëndësinë e kësaj konference, në kontekst të marrjes së përvojave ndërkombëtare dhe takimit me palë të ndryshme të interesit për të vënë kontakte me qëllim të bashkëpunimit, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka marrë pjesë në këtë konferencë përmes 3 zyrtarëve, respektivisht Zëvendës Drejtorja e Përgjithshme z-nja Afërdita Thaqi, Zyrtari për Sistemin e Adresave z. Amir Sogojeva dhe Zyrtarja Ligjore z-nja Edona Kutllovci. Në këtë konferencë AKK ka bërë një prezantim me titull "Sistemi i Adresave në perspektivë të NSDI në Republikën e Kosovës", të cilin e ka prezantuar z. Amir Sogojeva.
 

Vazhdojnë takimet në Komuna, nënshkruhen memorandume bashkëpunimi

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) është organ kompetent për administrimin e regjistrave pronësorë, për hartografi, për kadastër dhe për gjeodezi, për sistem të unifikuar të adresave dhe për infrastrukturë kombëtare të informacioneve gjeohapësinore. Në kuadër të realizimit të mandatit dhe përgjegjësive të saja dhe me qëllim të implementimit sa më gjithëpërfshirës të aktiviteteve në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës në Kadastër dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore (REGIP), roli i Komunave është kyç dhe i pazëvendësueshëm. Prandaj, me qëllim të informimit sa më të mirë mbi këto aktivitete dhe me qëllim të informimit të ndërsjellë mbi rolit dhe përgjegjësitë e institucioneve respektive, një delegacion i AKK i prirë nga zv. Drejtorja e Përgjithshme z-nja Afërdita Thaçi dhe në përbërje z. Korab Ahmetaj – u.d Drejtor i Kadastrës, z. Bashkim Shaqiri – u.d Drejtor Ligjor dhe z-nja Nora Kelmende – Eksperte për Monitorim dhe Vlerësim në kuadër të projektit REGIP kanë ndërmarrë një varg vizitash dhe takime pune në Komuna të Kosovës. Delegacioni i AKK-së nëpër këto takime është pritur nga Kryetarët e Komunave të shoqëruar nga Drejtorët e Drejtorive për Kadastër dhe Urbanizëm ndërsa temat e diskutimit kanë qenë mirëmbajtja e rregullt e të dhënave kadastrale nga Zyrat Kadastrale Komunale, Projektligji për Kadastër të Paluajtshmërive dhe Projektligji i Infrastrukturës Kombëtare për Informacione Hapësinore, projekti përkrahës i Bankës Botërore (REGIP) me theks të veçantë implementimi i projektit për kompletimin e sistemit të unifikuar të adresave dhe ndërlidhjen e regjistrit të adresave me regjistrin civil. Për këtë aktivitet janë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi mes zv. Drejtores së AKK-së z-nja Afërdita Thaçi dhe Kryetarëve të Komunave. Deri më tani vizitat janë mbajtur në komunat Gjilan, Kamenicë, Prizren, Prishtinë, Pejë, Deçan, Vushtrri, Gjakovë, Rahovec, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Drenas, Vushtrri, Istog dhe këtë javë në Malishevë, Podujevë ku janë pritur nga Kryetarët e Komunave respektive z. Ekrem Kastrati dhe z. Shpejtim Bulliqi. Vizitat e tilla dhe nënshkrimet e memorandumeve për bashkëpunim do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke përfshirë të gjitha komunat në territorin e Republikës së Kosovës.