Lajme

AKK, takim pune me Kryeshefin e Arkivave të Kosovës

Me qëllim të identifikimit të fushave potenciale të bashkëpunimit të ndërsjellë e në interes të përbashkët të institucioneve që përfaqësojnë, sot në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes Zëvendësuese Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z-njës Afërdita Thaçi, e shoqëruar edhe nga drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Administratë z-nja Fazile Hamiti me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Bedri Zymberaj. Pos diskutimit të mënyrës së avancimin të shërbimeve dhe produkteve që i ofrojnë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe koordinimi sa më i mirë në fushën e respektimit të masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID19, duke marrë parasysh faktin që institucionet respektive ndajnë të njëjtin objekt. Si përfundim, në takim përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që bashkëpunimi i ndërsjellë të jetë ma dinamik në të ardhmen, duke njohur faktin që dyja institucionet janë palë të interesit të ndërlidhura ngushtë në fushën e ofrimit të shërbimeve. 

  

 


Takim gjithëpërfshirës për sistemin e adresave

Në kuadër të përpjekjeve për implementimin sa më kualitativ të sistemit të unifikuar të adresave, përfshi edhe ndërlidhjen e regjistrit të adresave me regjistrin civil dhe regjistra të tjerë publik,  me datë 10 shtator në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes prijësve dhe përfaqësuesve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Agjencisë së Regjistrit Civil dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe përfaqësuesve nga Kabineti i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në këtë takim temë kryesore ishte ndarja e përgjegjësive të institucioneve të përfshira në pilot projektin për ndërlidhjen e sistemit të adresave dhe regjistrit civil i cili së shpejti pritet të implementohet në bashkëpunim dhe me përkrahje të GIZ-it gjerman, pastaj metodologjia dhe teknologjia e përdorur për këtë pilotim e ngjashëm, krejt me qëllim që edhe metodologjia e edhe teknologjia e pilotimit të shërbej në të ardhmen për implementimin dhe kompletimin e sistemit të unifikuar të adresave në kuadër të projektit të Bankës Botërore "REGIP". Takimet e tilla të nivelit teknik dhe menaxherial do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim që gjithçka të formalizohet me memorandum për bashkëpunim mes institucioneve të përfshira.


Struktura organizative dhe gjeoinformacioni, Ministri i MMPHI vizitë në AKK

Në kuadër të angazhimeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) rreth organizimit të MMPHI, me datë 20 gusht në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) është mbajtur një takim pune mes Ministrit të MMPHI z. Liburn Aliu me bashkëpunëtorë dhe Zëvendësuese Drejtoreshës Ekzekutive të AKK z-njës Afërdita Thaçi po ashtu e shoqëruar nga bashkëpunëtorët. Qëllimi i këtij takimi ishte që z. Aliu të njoftohet për së afërmi me sfidat organizative me të cilat ballafaqohet kjo Agjenci dhe të dëgjojë idenë e Agjencisë se cila do të ishte forma më e mirë e funksionimit të AKK sipas tyre. Në këtë pjesë të takimit u diskutua rreth sfidave që rezultojnë nga zgjerimi konstant i mandatit dhe përgjegjësive të AKK-së me detyra shtesë nga njëra anë dhe nevoja për ekspertizë shtesë për të ushtruar këtë mandat me sukses. Z. Aliu kërkoi që një përfaqësues i Agjencisë Kadastrale të Kosovës të përfshihet në grupet e Ministrisë që merren me strukturimin organizativ me qëllim që të merren parasysh edhe interesat edhe specifikat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Pjesa e dytë e takimit iu kushtua infrastrukturës së të dhënave hapësinore e cila është duke u koordinuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa për këtë z. Aliu kërkoi që të avancohet në koordinimin ndërinstitucional mes prodhuesve të të dhënave gjeohapësinore, krejt me qëllim që të njëjtat të jenë të qasshme në çdo kohë e për çdo kënd.
 

AKK, takim pune për gjeneralizimin hartografik

Me qëllim të diskutimit mbi ecurinë e implementimit të projektit të financuar nga JICA japoneze "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë" në përgjithësi dhe për fazën e dytë të trajnimit të ekspertëve të AKK-së që në mënyrë të pavarur ta bëjnë përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme në veçanti, Zëvendësuese Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kadastrale të Kosovë z-nja Afërdita Thaçi priti në takim pune ekspertin e hartografisë të JICA-s z. Kohei Isobe. 
Në takim u diskutua rreth ecurisë së projektit dhe trajnimit, sfidat me të cilat eventualisht është duke u ballafaquar implementimi i projektit dhe mbarëvajtja e trajnimit, pastaj menaxhimi i projektit sipas periudhës kohore të paraparë, përfitimi nga shfrytëzimi ndërinstitucional i hartës topografike 1: 250000, krijimi i gjeodatabazave të hartave në shkallë të ndryshme duke iu referuar rregullores për simbolizimin e hartës topografike me shkallë të zvogëlimit 1:250000, përmasat dhe dizajni i fletës se hartës  topografike 1: 250000, etj. 
Në këtë takim z-nja Afërdita Thaçi ofroi përkrahjen institucionale për ekspertët e JICA e ata të AKK-së, krejt me qëllim që produkti final të jetë i kualitetit të lartë nga i cili do të përfitojnë institucionet e ndryshme publike e private të cilat kanë nevojë për produkte hartografike. 
Përndryshe, z-nja Thaçi në takim ishte e shoqëruar nga ekspertë të hartografisë dhe GIS-it në AKK, respektivisht z. Avni Rrustemi dhe z. Amir Reçica, të cilët edhe janë duke iu nënshtruar trajnimit në fjalë.

Fillojnë trajnimet për gjeneralizimin e hartave topografike

Në vazhdën e përkrahjes së Qeverisë Japoneze nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) është duke u implementuar projekti "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Ky projekt ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për krijimin e hartave topografike me shkallë të vogël 1:50,000, 1:100,000, 1:250,000 dhe 1:500,000, me çka zyrtarët e AKK-së do të rrisin kapacitetet e veta që në mënyrë të pavarur ta bëj përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme. Ndërsa, si pjesë e projektit, në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka filluar faza e dytë e trajnimit të stafit të AKK-së për gjeneralizimin e hartës 1:250.000 nga eksperti japonez i hartografisë, z. Kohei Isobe. Trajnimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, ndërsa njohuritë që ekspertët e AKK-së do të marrin nga ky trajnim, do të përcillen edhe te personeli tjetër i përfshirë në fushën e hartografisë.