Lajme

Eurogeographics, takim për Hartën Euro Regjionale

Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i përbërë nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe eksperti i Hartografisë në AKK z. Avni Rrustemi, ka marrë pjesë në takimin teknik të prodhuesve të të dhënave gjeohapësinore për Hartën Euro Regjionale e cila është duke u prodhuar dhe mirëmbajtur në kuadër të Eurogeographics-it. Qëllimi i këtij takimi teknik të ofruesve të të dhënave gjeohapësinore për hartën evropiane ishte identifikimi i të dhënave që mund të pasurojnë hartën evropiane ndërsa delegacioni i AKK-së pos që prezantoi hartën e saj të re topografike 1:250.000, këtë produkt ia bashkëngjiti vargut të produkteve gjeohapësinore të Republikës së Kosovës të paraqitura në Hartën  Euro Regjionale. Po ashtu, punëtoria e mbajtur në Bruksel gjatë kësaj jave, u shfrytëzua edhe për disa takime mes përfaqësuesve të AKK-së me ata të Eurogeographics-it, respektivisht u mbajt një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Eurogeographics z-njën Lea Bodossian, gjatë të cilit takim pos që u vlerësuan të arriturat e AKK-së në prodhimin e të dhënave gjeohapësinore konform standardeve europiane, po ashtu u identifikuan edhe fushat e interesit të përbashkët ku bashkëpunimi në të ardhmen do të mundej të intensifikohej. Po ashtu, në kuadër të grupeve punuese përfaqësuesit e AKK-së mbajtën diskutime teknike me përfaqësues të autoriteteve hartografike nga Austria, Sllovenia etj, me të cilët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral për produkte tjera për Hartën Euro Regionale  në fushën e hidrografisë, infrastrukturës, vegjetacionit etj. Përndryshe, Eurogeographics është institucion që përfaqëson një komunitet evropian prej 63 organizatave nga 46 shtete, nën ombrellën e të cilit bëjnë pjesë institucionet shtetërore evropiane për kadastër dhe hartografi, dhe ekspertët më me renome në këto fusha. Kjo organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse ka si vizion që të ofroj për të gjithë përdoruesit një pikë të vetme referuese për shërbime dhe të dhëna gjeohapsinore të harmonizuara dhe autoritative.

 

 


Seminar regjional për mbrojtjen nga zjarret

Në kuadër të implementimit të Projekti për Ndërtimin e Kapaciteteve për Zvogëlimin e Rrezikut nga fatkeqësitë përmes Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të Zjarreve Pyjore – NFFIS me metoda ekologjike ECO- DRR, i cili është duke i implementuar nga Agjencia për Menaxhim Emergjent e në bashkëpunim me JICA-n, prej datave 14 Nëntor 2021 e deri më 17 nëntor 2021 është mbajtur seminari i pare regjional kushtuar këtij aktiviteti. Në këtë seminar përmes prezantimeve dhe debateve interaktive mes përfaqësuesve të institucioneve implementuese dhe përkrahësve të projektit në shtetet e regjionit, janë shkëmbyer përvoja për zhvillimin e sistemit te integruar për parandalimin dhe paralajmërimin e hershëm të zjarreve të pyjeve, sistemi i integruar i parandalimit dhe paralajmërimit të hershem të zjarreve në pyje nga këndvështrimi i  sistemit te IT, pastaj ndërtimi i kapaciteteve për zgjedhjen e rrezikut në fatkeqësi në ekosistem, e të tjera. Në këtë seminar Agjencia Kadastrale e Kosovës, si palë e interesit në ofrimin e të dhënave gjeohapësinore për Agjencinë për Menaxhim Emergjent, u prezantua nga Eksperti i GIS-t z. Amir Reçica i cili informoi pjesëmarrësit në seminar mbi të dhënat gjeohapësinore të cilat AKK posedon, e të cilat do të jenë të nevojshme në implementimin e këtij projekti.


Tryezë: Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë

Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahjen e Qeverisë Japoneze nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është duke implementuar projektin "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Ky projekt ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për krijimin e hartave topografike me shkallë të vogël 1:50,000, 1:100,000, 1:250,000 dhe 1:500,000, me çka zyrtarët e AKK-së do të rrisin kapacitetet e veta që në mënyrë të pavarur ta bëjnë përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme. Duke marrë parasysh faktin që në kuadër të këtij projekti tani më është përfunduar gjeneralizimi i hartës topografike në shkallë 1:250.000 dhe me qëllim të prezantimit të procesit dhe produktit në fjalë, me datë 22 tetor 2021, në Hotel "Sirius" në Prishtinë, nën organizimin e JICA-s dhe me pjesëmarrjen e disa palëve të interesit është mbajtur një tryezë diskutimi me titull "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Në këtë tryezë përmes prezantimeve dhe debateve interaktive u trajtua kualiteti i hartës, veçoritë që harta përmban, benefitet nga përdorimi i hartës toporafike, sfidat me të cilat u përballën ekspertët japonez dhe ata të AKK-së gjatë gjeneralizimit të hartës digjitale topografike si dhe u diskutua mbi hapat para si në fushën e infrastrukturës kombëtare të informacioneve gjeohapësinore në përgjithësi po ashtu edhe në fushën e hartografisë në veçanti. Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë kontributin e ekspertëve të JICA-s në proces dhe njëherësh u pajtuan që nevojitet një gjithëpërfshirje dhe koordinim më i madh ndërinstitucional në të gjitha proceset e krijimit të produkteve gjeohapësinore. Në këtë tryezë u mbajtën katër prezantime, respektivisht z. Avni Rrustemi, ekspert për GIS dhe Hartografi në AKK prezantoi punimin me titull "Përpilimi dhe menaxhimi i hartës topografike, z. Rizah Murseli, Udhëheqës i Divizionit për GIS në Institutin e Planifikimit Hapësinor prezantoi punimin "Shfrytëzimi i hartës topografike 1:25.000", z. Idriz Shala, Zyrtar i lartë i GIS-it në Agjencinë e Statistikave të Kosovës prezantoi punimin "Nevojat dhe shfrytëzimi i Hartës Topografike" si dhe përfaqësuesi i Korporatës japoneze PASCO z. Kohei Isobe, njëherësh ekspert i angazhuar nga JICA, prezantoi punimin me titull "Shfrytëzimi i hartave të shkallës së vogël në Japoni".  Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra e JICA-s në Ballkan të prirë nga Përfaqësuesi Kryesor z. Jiro Takeichi, pastaj nga Kabineti i Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu respektivisht Këshilltarja Politike z. Gearda Demiraj, ekspertë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të prirë nga zv. Drejtorja e Përgjithshme e AKK z-nja Afërdita Thaçi, pastaj përfaqësues nga  Ministria e Kulturës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Forca e Sigurisë së Kosovës, Komisioni për Miniera dhe Minerale, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore etj.

 


Punëtori në kuadër të projektit Spatial II

Agjencia Kadastrale e Kosovës është pjesëmarrëse e iniciativave të ndryshme ndërkombëtare e regjionale që kanë për qëllim avancimin në fushën e kadastrës dhe gjeoinformacionit si dhe harmonizimin e produkteve dhe shërbimeve që ofron konform atyre që ofrohen nga shtetet e BE-së. Në të kaluarën ka pasur disa projekte konkrete regjionale të cilat kanë ndihmuar institucionet për kadastër e hartografi të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në zhvillimin profesional, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e teknologjike, në ngritjen e aplikacioneve të ndryshme gjeohapësinore si projekti IMPULS, ai INSPIRATION, SPATIAL e ngjashëm, ndërsa aktualisht është duke u implementuar edhe vazhdimi i projektit SPATIAL, respektivisht SPATIAL II, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës. E në kuadër të këtij projekti, me datë 15 Tetor në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një punëtori me ekspertët nga Autoriteti Holandez për Kadastër dhe Hartografi z Haico vd Vegt dhe z. Dorus Kruse. Qëllimi i këtij takimi ishte që në bashkëpunim mes përfaqësuesve të institucioneve respektive, të identifikohen fushat se ku do të duhej të fokusohej përkrahja për AKK. Si pika të interesit u veçua përkrahja në fushën e infrastrukturës për informacione hapësinore në Republikën e Kosovës, pastaj përkrahje në ngritjen e kualitetit të të dhënave kadastrale dhe në avancim të planifikimit në fushën e përfitimeve nga produktet dhe shërbimet t[ cilat Agjencia Kadastrale e Kosovës ua ofron palëve të interesit. Ndërsa propozimet përfundimtare do të merren pas një diskutimi të brendshëm në AKK dhe përmes diskutimeve të AKK-së me palë të interesit.


AKK, takim për menaxhim financiar të REGIP

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, respektivisht Agjencia Kadastrale e Kosovës është përfituese dhe implementuese e projektit për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër dhe për infrastrukturë të informacioneve gjeohapësinore (REGIP) të mbështetur nga Banka Botërore në formë kredie. Në kuadër të këtij projekti parashihet implementimi i një numri të konsiderueshëm aktivitetesh, ndërsa me qëllim të diskutimit mbi çështjet rreth menaxhimit financiar, disbursimit dhe buxhetit me datë 14 tetor në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës u mbajt një takim pune mes Udhëheqësit të Njësisë për Implementim të Projektit z. Muzafer Çaka dhe Specialistit për Financa në kuadër të Njësisë për Implementim të Projektit z. Liridon Gruda me z-njën Jonida Myftiu, përgjegjëse për menaxhimin financiar të të gjithë projekteve që Banka Botërore implementon në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë. Në fillim të takimit u fol mbi sfidat me të cilat është ballafaquar projekti REGIP në aspektin e menaxhimit financiar dhe po ashtu edhe me procesin e prokurimit. Pjesëmarrësit në takim janë pajtuar që të fillohet me procedurat për disbursimet për aktivitetet e parapara për implementim gjatë vitit 2021 si dhe janë bërë parashikimet e disbursimeve dhe menaxhimit financiar për vitin 2022 për projektin REGIP.