Lajme

REGIP, ekspertë të Bankës Botërore qëndruan në AKK

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) është përfituese e Projektit për Regjistrimin e Pronës në Kadastër dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore, huamarrje kjo nga Banka Botërore në kuadër të cilët projekt janë paraparë dhjetëra aktivitete për implementim në një periudhë pesëvjeçare. Me qëllim të përcjellës së ecurisë së aktiviteteve në kuadër të këtij projekti si dhe për të diskutuar për sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar aktivitetet, një delegacion i ekspertëve të Bankës Botërore respektivisht Udhëheqësi i Ekipit z. Paul Scott Prettitore, zv. Udhëheqësi i ekipit z. Caleb Travis Johnson dhe ekspertja për çështje shoqërore z-nja Alma Shahbaz kanë qëndruar në një vizitë njëjavore në AKK ku zhvilluan një sërë takimesh me ekspertë të AKK-së rreth projekteve kapitale në pritje të implementimit dhe me palë të jashtme të interesit që kryesisht ishin në fushën e gjithë përfshirjes shoqërore në shfrytëzim të të drejtave pronësore.


AKK, vizita pune në Gjilan dhe Kamenicë

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) si organ kompetent për administrimin e regjistrave pronësorë, për hartografi, për kadastër dhe për gjeodezi, për sistem të unifikuar të adresave dhe për infrastrukturë kombëtare të informacioneve gjeohapësinore vlerëson rolin e Komunave, respektivisht Zyrave Kadastrale Komunale si një ndër më të rëndësishmit në proces të implementimit të suksesshëm të mandatit dhe përgjegjësive të saja. Për këtë arsye, ekzekutivi i AKK-së ka ndërmarrë një fushatë vizitash nëpër Komuna, ku së bashku me Kryetarët e Komunave dhe me Drejtorët e Drejtorive për Kadastër dhe për Urbanizëm do të identifikojnë fushat e intersit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të avancohej. Në këto takime pos shkëmbimit të informacioneve të përgjithshme, do të diskutohet edhe për implementimin e disa aktiviteteve kapitale të parapara në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore, huamarrje kjo nga Banka Botërore. Një temë tjetër e interesit dhe e paraparë për trajtim në këto takime do të jetë edhe ajo rreth dy projektligjeve të reja, respektivisht atë për kadastër dhe atë për infrastrukturë të të dhënave gjeohapësinore, aprovimi i të cilëve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kishte ndikim të menjëhershëm në avancimin e fushës së kadastrës dhe grumbullimit dhe shpërndajes së informacioneve gjeohapësinore. Përndryshe takimet e para janë zhvilluar me Kryetarin e Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni me të të Kamenicës z. Kadri Rahimaj. Takimet kanë qenë të frytshme, ndërsa nga rezultatet e këtyre bashkëpunimeve përfitues do të jenë si qytetarët po ashtu edhe institucionet e komnave në fjalë.

 

 


AKK, takim për sistemin e adresave

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka krijuar një sistemi modern të adresave për Kosovën, duke përfshirë krijimin e kapaciteteve profesionale, sistemin digjital te adresave, mbledhjen dhe digjitalizimin e te dhënave, emërtimin e rrugëve, sinjalizimin e adresave etj. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen komunat rreth kompletimit dhe mirëmbajtjes së Sistemit të Adresave, Agjencia Kadastrale e Kosovës mes tjerash ka siguruar mbështetje të komunave për kompletimin e Sistemit të Adresave edhe brenda projektit REGIP, huamarrje kjo nga Banka Botërore. Ndërsa për të diskutuar mbi implementimin e sistemit të adresave, procesin e mirëmbajtjes dhe zbatimi i tij në Kosovë, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka organizuar takim pune me qëllim informimin e drejtorëve dhe zyrtarëve të urbanizmit rreth statusit të adresimit në Kosovë, rreth projektit të Bankës Botërore, procesit të ndërlidhjes së Regjistrit Civil me Regjistrin e Adresave si dhe të ofroj këshilla për mirëmbajtjen dhe zbatimin e sistemit zyrtar të adresave si dhe organizimin e punës rreth adresave në përgjithësi. Në takim përmes prezantimeve dhe diskutimit gjithëpërfshirës janë prezantuar hap pas hapi aktivitetet, përgjegjësitë e palëve të përfshira  dhe rezultatet e pritura nga implementimi i projektit. Po ashtu ky takim do të pasohet edhe me trajnime praktike me zyrtarët komunal që merren me sistemin e adresave. Takimet janë mbajtur me datë 23 dhe 24 Dhjetor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës në grupe të ndara për shkak të masave të qeverisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë.


Mbahet testimi i radhës për licencim

Me datë 09 Shkurt 2022 e në pajtim me obligimet që rrjedhin nga Udhëzimi Administrativ (MMPH) Nr. 13/2019 për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve, në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, gjeodetët të cilët kanë aplikuar për licencim i janë nënshtruar testimit. Testimit i janë nënshtruar 1 kandidatë, ndërsa forma e testimit certifikues ka qenë elektronike me ç ‘rast pas përfundimit, aplikantët në mënyrë automatike janë njoftuar me rezultatin e arritur.

 


Digjitalizimi i shërbimit të licencimit

Me qëllim të diskutimit rreth digjitalizimit të procesit të aplikimit për licencë për gjeodetët, me datë 9 shkurt 2022 në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes përfaqësuesve të Departamentit të Tregtisë dhe përfaqësuesve të Projektit të Binjakëzimit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga njëra dhe përfaqësuesve të Agjencisë Kadastrale të Kosovë. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i përgjithshëm lidhur me procesin e digjitalizimit të shërbimeve të aplikimit për licencë për gjeodetët dhe përfshirjen në Pikën e Vetme të Kontaktit për Shërbime. Në takim ekspertët e AKK dhanë informacione për procesin aktual të licencimit mbështetur në Udhëzimin Administrativ për Licencinin e Gjeodetëve dhe Kompanive të Licencuara Gjeodete ndërsa në parim, është marrë aprovimi për digjitalizimin e këtyre shërbimeve, megjithatë, u konsiderua si e rëndësishme që të mbahet edhe një takim të përbashkët mes ASHI, AKK-së, MINT-it dhe Projektit të Binjakëzimit. Kjo për të sqaruar tutje procedurën dhe për të marrur informacione shtesë lidhur me atë se çfarë nevojitet tutje për të implementuar procesin e digjitalizimit të shërbimeve në fjalë.