Lajme

Punëtori mbi implementimin e programit të legalizimit të ndërtimeve pa leje

Nën organizimin e Projektit KEGA të USAID, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të interesit në fushën e legalizimit të objekteve pa leje, respektivisht Departamenti i Ndërtimit pranë MMPHI, Zyra Kadastrale Komunale në Graçanicë, Zyra Kadastrale Komunale në Prishtinë, përfaqësuesve nga Zyrat për Urbanizëm në këto dy komuna, përfaqësues nga Agjuencia Kadastrale e Kosovës me datë 6 dhe 7 tetor në  Hotel Centrum Prizren është mbajtur një punëtori mbi implementimin e programit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Tema kryesore e takimit ka qenë trajtimi i tëa rriturave dhe sfidave në procesin e legalizimit në në Prishtinë dhe në Graçanicë, pastaj përpunimi i aplikacioneve të legalizimit duke ndjekur procesin e legalizimit dhe strukturën organizative të rekomanduar, shqyrtimi i aplikacioneve dhe vendimeve dhe regjistrimi i lëndëve në kadastër dhe në regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme. Në këtë punëtori Agjencia Kadastrale e Kosovës u përfaqësua nga Zyrtari i Lartë Ligjor z. Nadir Shyqeriu dhe nga Eksperti i GIS-it z. Esat Xani.


AKK, takim me Agjencinë për Barazi Gjinore

Me qëllim të informimit të ndërsjellët rreth aktiviteteve të institucioneve respektive dhe për të identifikuar fushat e interesit të përbashkët ku ky bashkëpunim do të mund të intensifikohej, zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kadastrale të Kosovës z-nja Afërdita Thaçi ka mbajtur një takim pune me Kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore z-njën Edi Gusia. Fokus i këtij takimi ishte avancimi i të drejtave të gruas në përgjithësi si dhe përfshirja e gruas në shfrytëzim të të drejtave pronësore në veçanti. Po ashtu, si rekomandim i përbashkët nga ky takim doli edhe propozimi rreth masës afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve pa pagesë, respektivisht u propozua që kjo masë afirmative mos të jetë e përkohshme por e njëjta të rregullohet me Udhëzim Administrativ tël përhershëm, sidomos nëse merret parasysh ndikimi që e njëjta ka pasur në ngritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Po ashtu, në takim u propozua një bashkëpunim më i avancuar në faza të ndryshme të implementimit të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër, huamarrje kjo nga Banka Botërore e në kuadër të së cilit projekt parashihet implementimi i dhjetëra aktiviteteve nga të cilat përfituese mund të jenë edhe gratë.   

 


Takim i grupit punues për plotësim - ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për produktet e AKK-së

Agjencia Kadastrale e Kosovës së fundmi ka avancuar ofrimin e informacioneve pronësore dhe kadastrale për palë të interesit, respektivisht ka kaluar nga mënyra tradicionale e ofrimit të informacioneve (CD, letër e postë elektronike) në mënyrë më të avancuar përmes ofrimit të qasjes në informacione përmes ueb shërbimeve në kohë reale. Për këtë arsye, respektivisht për të ndarë përgjegjësit dhe obligimet e palëve të përfshira në këtë shkëmbim të informacioneve, kohë më parë janë nënshkruar edhe Memorandume Bashkëpunimi mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe institucioneve përfituese. Ndërsa, me qëllim të identifikimit të sfidave me të cilat janë ballafaquar si Agjencia në cilësinë e ofruesit të këtyre të dhënave po ashtu edhe institucionet përfituese në cilësinë e shfrytëzuesve të të dhënave, me datë 16 Shtator në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes përfaqësuesve të AKK-së dhe përfaqësuesve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe të Njësisë për Inteligjencë Financiare (NjIF). Në këtë takim të cilit i priu z. Mentor Xhemajli nga Sektori i Produkteve i shoqëruar edhe nga ekspertë financiar, ligjor, kadastral e ata të TI-së, u diskutua baza ligjore me theks të veçantë plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për Shërbimet dhe Produktet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe u trajtuan komentet e  ATK dhe NjIF  për të njëjtat. Po ashtu u trajtuan mundësitë për tejkalim të disa barrierave burokratike të cilat në rast të eliminimit do të ndikonin në ngritjen e kualitetit të vetë shërbimeve si dhe do të përshpejtonin kohën e shkëmbimit të informacioneve mes institucioneve publike, e nga ky proces do të përfitonin si institucionet po ashtu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës

.

 


Krijimi i hartës së pronësisë së Kosovës

Me qëllim ngritjes së kualitetit të të dhënave pronësore si dhe për të ndihmuar institucione tjera publike të cilat për implementimit të përgjegjësive të tyre kanë nevojë për informacione pronësore, Agjencia Kadastrale e Kosovës është duke krijuar hartën e pronësisë së Kosovë. Në këtë kuadër, sot është mbajtur një takim pune mes ekspertëve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të diskutuar rreth shtrirjes gjeografike të llojeve të pronave (private e shoqërore) dhe raportin në mes tyre. Harta e pronësisë bazohet në të dhënat e parcelave të shkarkuara nga sistemi zyrtar i pronave, respektivisht Sistemi i Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë. Gjatë takimit janë diskutuar dhe paraqitur çështjet teknike dhe problematikat e te dhënave. Pas përfundimit të analizave gjeografike, do të përpilohet një raport i detajuar, i cili do të përmban burimin e të dhënave, vitin e prodhimit të të dhënave, metodologjinë e punës, hartat e pronësisë për secilën komunë dhe statistikat përkatëse për komunë. Në takimin të cilit i priu Zëvendësuese Drejtortesha e Përgjithshme z-nja Afërdita Thaçi morrën pjesë edhe u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj, eksperti i GIS-it z. Avni Rrustemi, Udhëheqësi i Njësisë së Adresave z. Amir Sogojeva dhe eksperti i TI-së z. Besfort Thaçi.


AKK, takim pune me Kryeshefin e Arkivave të Kosovës

Me qëllim të identifikimit të fushave potenciale të bashkëpunimit të ndërsjellë e në interes të përbashkët të institucioneve që përfaqësojnë, sot në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes Zëvendësuese Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z-njës Afërdita Thaçi, e shoqëruar edhe nga drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Administratë z-nja Fazile Hamiti me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Bedri Zymberaj. Pos diskutimit të mënyrës së avancimin të shërbimeve dhe produkteve që i ofrojnë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe koordinimi sa më i mirë në fushën e respektimit të masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID19, duke marrë parasysh faktin që institucionet respektive ndajnë të njëjtin objekt. Si përfundim, në takim përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që bashkëpunimi i ndërsjellë të jetë ma dinamik në të ardhmen, duke njohur faktin që dyja institucionet janë palë të interesit të ndërlidhura ngushtë në fushën e ofrimit të shërbimeve.