Lajme

AKK, aprovohen tre Udhëzime Administrative

Me qëllim të avancimit në fushën e tarifave të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës si dhe në atë të licencimit të kompanive gjeodete dhe gjeodetëve të licencuar, Agjencia Kadastrale e Kosovës për Planit Legjislativ të vitit 2021 kishte paraparë edhe amandamentimin e tre Udhëzimeve Administrative, respektivisht Udhëzimin Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 08/2019 për Tarifat e Produkteve dhe Shërbimeve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Udhëzimi Administrativ (MMPHI) Nr.05/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MEA) Nr. 09/2020 për Tarifat e Shërbimeve për Regjistrimin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme dhe Udhëzimi Administrativ (MMPHI) Nr. 06/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2019 për Licencimin e Kompanive Gjeodete dhe Gjeodetëve. Sipas planifikimit, këto Udhëezime Administrative tani më kanë hyrë në fuqi ndërsa në vijim mund të informoheni mbi arsyet dhe ndryshimet që kanë imponuar këto Udhëzime Administrative:

Udhëzimin Administrativ (MMPHI) Nr. 04/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 08/2019 për Tarifat e Produkteve dhe Shërbimeve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës - Bazuar në rekomandimin e dhënë nga Ministria e Financave, AKK në Planin Legjislativ të viti 2021 ka propozuar Plotësim Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 08/2019 për Tarifat e Produkteve dhe Shërbimeve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me qëllim të trajtimit të tarifave për produktet dhe shërbimet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për Institucionet Publike. Me këtë udhëzim administrativ, janë bërë disa ndryshime, përkatësisht janë evidentuar tarifat për të gjitha produktet e AKK-së, me qëllim që ky akt nën ligjor të e përcaktojë nivelin sa më të arsyeshëm të tarifave për institucionet publike. Gjithashtu ka përcaktuar edhe nocionet teknike të cilat përdoren për krijimin e përdoruesve nga institucionet publike dhe ato private me autorizime publike si dhe shtimin e produkteve të reja.

Udhëzimi Administrativ (MMPHI) Nr.05/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MEA) Nr. 09/2020 për Tarifat e Shërbimeve për Regjistrimin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme - Me këtë udhëzimin administrativ, janë bërë disa ndryshime të cilat janë vërejtur se janë në kundërshtim me praktikat më të mira të zbatimit të Ligjit për Kadastër, po ashtu janë paraparë disa raste kur përjashtohet pagesa e tarifave për regjistrimin e të drejtave sendore, sikurse tek rastet e ri regjistrimit, regjistrimit apo modifikimit të barrës apo ngarkesës tjetër, si dhe lirimi nga pagesa për regjistrimin e disa ndalesave. Po ashtu është përkufizuar termi "anëtarët e familjes së ngushtë", për qëllim të përcaktimit të tarifës për regjistrimin e të drejtave sendore. Gjithashtu ndryshim tjetër është bërë tek verifikimi i titullit juridik, ku tashmë përveç institucionit, kërkesa për verifikim të titullit juridik mund të bëhet edhe nga pala si dhe janë specifikuar disa çështje të cilat mund të kenë mundësi të interpretimit të dyfishtë. Gjithashtu është krijuar baza ligjore me të cilën obligohen të gjitha përdoruesit e institucioneve publike dhe përdoruesit privat të cilët ofrojnë shërbime publike që të bëjnë shënimin në Regjistrin kadastral, për pronën e paluajtshme që është në procedurë ose është përfunduar. Shënimi i tillë bëhet pa pagesë. Kjo është bërë me qëllim të parandalimit të mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave dhe ndalimin e mundësisë së realizimit të disa transaksioneve në të njëjtën kohë. Kryesisht kemi të bëjmë me transaksionet e shitblerjeve dhe lidhja e disa akteve noteriale për të njëjtën paluajtshmëri. Është konsideruar si një mundësi e mirë e parandalimit të zhvillimit të disa transaksioneve në të njëjtën kohë. Shënimi do të ketë kuptimin e njoftimit të të gjitha palëve pjesëmarrëse në një procedurë që mund të jetë te noteri, në gjykatë, te përmbaruesi privat apo te cili do institucion tjetër. Vënia e shënimit është e obligueshme për të gjitha institucionet të cilat merren me të drejta pronësore duke përfshirë gjykatat, noterët, përmbaruesit privat, prokurorinë (te rastet e caktimit të masës së sigurisë), Administrata Tatimore etj..

Udhëzimi Administrativ (MMPHI) Nr. 06/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2019 për Licencimin e Kompanive Gjeodete dhe Gjeodetëve - Gjatë zbatimit të Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2019 për Licencimin e Kompanive Gjeodete dhe Gjeodetëve, janë vërejte disa zbrazëtira ligjore e të cilat kanë paraqitur problem në mbarëvajtjen e procesit të licencimit të Kompanive Gjeodete dhe Gjeodetëve dhe me qëllim të eliminimit të tyre AKK kishte propozuar në Planin Legjislativ për aktet nënligjore të vitit 2021 plotësim ndryshimin e këtij udhëzimi. Ky udhëzim administrativ do te zbatohet për mënyrën e licencimit të kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës siç përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-013 për Kadastër dhe me këtë Udhëzim Administrativ, po ashtu është bërë përcaktimi i rregullave detaje lidhur me kandidatet të cilët kanë të drejtë të aplikojnë për licencim. Ndryshimet kryesore të cilat i ka paraparë ky udhëzim administrativ kanë të bëjnë me kushtet dhe procedurat e licencimit të kandidatëve të cilët aplikojnë për licencim, përkatësisht kushti që një kandidat i cili ka aplikuar për licencim pas aprovimit të kërkesës duhet të dëshmoj se punë primare e ka punën si gjeodet i licencuar, ndërsa si punë sekondare mund të punoj ndonjë punë tjetër publike apo private. Po ashtu janë të obliguar të jenë të regjistruar si biznes individual, kufizimi i të drejtës për licencim deri në moshën 65 vjeçare dhe është përcaktuar përmbajtja dhe mënyra e dhënies së testit për licencim. Sa i përket kompanive të licencuara është përcaktuar kompetenca e personave që mund të nënshkruajnë lëndë në emër të kompanisë gjeodezike të licencuar.

Udhëzimet Administrtive mund të gjenden në linkun në vijim:

http://www.kca-ks.org/udhezime-administrative


REGIP: Delegacion i Bankës Botërore viziton AKK-në

Me qëllim të diskutimit të ecurisë së aktiviteteve në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Infrastrukturë Gjeohapësinore (REGIP), huamarrje kjo nga Banka Botërore, një delegacion dy anëtarësh i ekipit të Bankës Botërore për implementimin e këtij projekti, respektivisht Udhëheqësi i Ekipit z. Paul Prettitore dhe Bashkëudhëheqësi i këtij ekipi z. Caleb Travis Johnson kanë qëndruar në vizitë katër ditore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK). Ekipi i Bankës Botërore në këto takime u prit nga Zëvendësuese Drejtorja Ekzekutive e AKK-së z-nja Afërdita Thaçi dhe nga Drejtorët e Drejtorive të AKK-së. Gjatë kësaj vizite, ekspertët e AKK-së bënë një pasqyrim të gjendjes faktike në lidhje me aktivitetet e parapara në kuadër të projekti REGIP, me theks të veçantë aktivitetet kapitale si Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale, Aerofotografimi i Territorit të Republikës së Kosovës, implementimi i Sistemit të Unifikuar të Adresave, Ri-inxhinjerimi i Zyrave Kadastrale Komunale etj., si dhe u pasqyruan planet dinamike për implementim të këtyre projekteve, duke mos lënë anash as sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar ekspertët e AKK-së në këtë fazë fillestare të implementimit të aktiviteteve. Boshti i diskutimeve ishte rreth fillimit të aktiviteteve të prokurimit për projektet kapitale, avancimi i kapaciteteve profesionale e teknologjike në AKK, avancimi i kornizës ligjore që do të mundësonte maksimalizim të përfitimeve nga implementimi i projekteve dhe gjithpërfshirja sociale në avancim të shfrytëzimit të të drejtave pronësore. Duke e ditur se shumë nga këto aktivitete kërkojnë edhe një bashkëpunim ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, ekspertët e Bankës Botërore të shoqëruar nga pëfaqësues nga Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë, patën edhe takime me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, respektivisht me zv. Ministren e kësaj Ministria z-njën Linda Çavdarbasha dhe Këshilltaren e Ministrit z. Liburn Aliu, z-njën Gearda Demiraj, si dhe me përfaqësues të OJQ Femrat Aktive të Gjakovës. Në këto takime u diskutua edhe rreth metodave të avancuara të bashkëpunimit, krejt me qëllim që përfitimi nga ky projekt të jetë konkret për secilën palë të interesit.   


Eurogeographics, takim për Hartën Euro Regjionale

Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i përbërë nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe eksperti i Hartografisë në AKK z. Avni Rrustemi, ka marrë pjesë në takimin teknik të prodhuesve të të dhënave gjeohapësinore për Hartën Euro Regjionale e cila është duke u prodhuar dhe mirëmbajtur në kuadër të Eurogeographics-it. Qëllimi i këtij takimi teknik të ofruesve të të dhënave gjeohapësinore për hartën evropiane ishte identifikimi i të dhënave që mund të pasurojnë hartën evropiane ndërsa delegacioni i AKK-së pos që prezantoi hartën e saj të re topografike 1:250.000, këtë produkt ia bashkëngjiti vargut të produkteve gjeohapësinore të Republikës së Kosovës të paraqitura në Hartën  Euro Regjionale. Po ashtu, punëtoria e mbajtur në Bruksel gjatë kësaj jave, u shfrytëzua edhe për disa takime mes përfaqësuesve të AKK-së me ata të Eurogeographics-it, respektivisht u mbajt një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Eurogeographics z-njën Lea Bodossian, gjatë të cilit takim pos që u vlerësuan të arriturat e AKK-së në prodhimin e të dhënave gjeohapësinore konform standardeve europiane, po ashtu u identifikuan edhe fushat e interesit të përbashkët ku bashkëpunimi në të ardhmen do të mundej të intensifikohej. Po ashtu, në kuadër të grupeve punuese përfaqësuesit e AKK-së mbajtën diskutime teknike me përfaqësues të autoriteteve hartografike nga Austria, Sllovenia etj, me të cilët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral për produkte tjera për Hartën Euro Regionale  në fushën e hidrografisë, infrastrukturës, vegjetacionit etj. Përndryshe, Eurogeographics është institucion që përfaqëson një komunitet evropian prej 63 organizatave nga 46 shtete, nën ombrellën e të cilit bëjnë pjesë institucionet shtetërore evropiane për kadastër dhe hartografi, dhe ekspertët më me renome në këto fusha. Kjo organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse ka si vizion që të ofroj për të gjithë përdoruesit një pikë të vetme referuese për shërbime dhe të dhëna gjeohapsinore të harmonizuara dhe autoritative.

 

 


Seminar regjional për mbrojtjen nga zjarret

Në kuadër të implementimit të Projekti për Ndërtimin e Kapaciteteve për Zvogëlimin e Rrezikut nga fatkeqësitë përmes Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të Zjarreve Pyjore – NFFIS me metoda ekologjike ECO- DRR, i cili është duke i implementuar nga Agjencia për Menaxhim Emergjent e në bashkëpunim me JICA-n, prej datave 14 Nëntor 2021 e deri më 17 nëntor 2021 është mbajtur seminari i pare regjional kushtuar këtij aktiviteti. Në këtë seminar përmes prezantimeve dhe debateve interaktive mes përfaqësuesve të institucioneve implementuese dhe përkrahësve të projektit në shtetet e regjionit, janë shkëmbyer përvoja për zhvillimin e sistemit te integruar për parandalimin dhe paralajmërimin e hershëm të zjarreve të pyjeve, sistemi i integruar i parandalimit dhe paralajmërimit të hershem të zjarreve në pyje nga këndvështrimi i  sistemit te IT, pastaj ndërtimi i kapaciteteve për zgjedhjen e rrezikut në fatkeqësi në ekosistem, e të tjera. Në këtë seminar Agjencia Kadastrale e Kosovës, si palë e interesit në ofrimin e të dhënave gjeohapësinore për Agjencinë për Menaxhim Emergjent, u prezantua nga Eksperti i GIS-t z. Amir Reçica i cili informoi pjesëmarrësit në seminar mbi të dhënat gjeohapësinore të cilat AKK posedon, e të cilat do të jenë të nevojshme në implementimin e këtij projekti.


Tryezë: Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë

Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahjen e Qeverisë Japoneze nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është duke implementuar projektin "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Ky projekt ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për krijimin e hartave topografike me shkallë të vogël 1:50,000, 1:100,000, 1:250,000 dhe 1:500,000, me çka zyrtarët e AKK-së do të rrisin kapacitetet e veta që në mënyrë të pavarur ta bëjnë përgjithësimin e Hartës Digjitale në shkallë të ndryshme. Duke marrë parasysh faktin që në kuadër të këtij projekti tani më është përfunduar gjeneralizimi i hartës topografike në shkallë 1:250.000 dhe me qëllim të prezantimit të procesit dhe produktit në fjalë, me datë 22 tetor 2021, në Hotel "Sirius" në Prishtinë, nën organizimin e JICA-s dhe me pjesëmarrjen e disa palëve të interesit është mbajtur një tryezë diskutimi me titull "Zhvillimi i kapaciteteve për gjeneralizimin hartografik të hartave topografike digjitale në Kosovë". Në këtë tryezë përmes prezantimeve dhe debateve interaktive u trajtua kualiteti i hartës, veçoritë që harta përmban, benefitet nga përdorimi i hartës toporafike, sfidat me të cilat u përballën ekspertët japonez dhe ata të AKK-së gjatë gjeneralizimit të hartës digjitale topografike si dhe u diskutua mbi hapat para si në fushën e infrastrukturës kombëtare të informacioneve gjeohapësinore në përgjithësi po ashtu edhe në fushën e hartografisë në veçanti. Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë kontributin e ekspertëve të JICA-s në proces dhe njëherësh u pajtuan që nevojitet një gjithëpërfshirje dhe koordinim më i madh ndërinstitucional në të gjitha proceset e krijimit të produkteve gjeohapësinore. Në këtë tryezë u mbajtën katër prezantime, respektivisht z. Avni Rrustemi, ekspert për GIS dhe Hartografi në AKK prezantoi punimin me titull "Përpilimi dhe menaxhimi i hartës topografike, z. Rizah Murseli, Udhëheqës i Divizionit për GIS në Institutin e Planifikimit Hapësinor prezantoi punimin "Shfrytëzimi i hartës topografike 1:25.000", z. Idriz Shala, Zyrtar i lartë i GIS-it në Agjencinë e Statistikave të Kosovës prezantoi punimin "Nevojat dhe shfrytëzimi i Hartës Topografike" si dhe përfaqësuesi i Korporatës japoneze PASCO z. Kohei Isobe, njëherësh ekspert i angazhuar nga JICA, prezantoi punimin me titull "Shfrytëzimi i hartave të shkallës së vogël në Japoni".  Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra e JICA-s në Ballkan të prirë nga Përfaqësuesi Kryesor z. Jiro Takeichi, pastaj nga Kabineti i Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu respektivisht Këshilltarja Politike z. Gearda Demiraj, ekspertë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të prirë nga zv. Drejtorja e Përgjithshme e AKK z-nja Afërdita Thaçi, pastaj përfaqësues nga  Ministria e Kulturës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Forca e Sigurisë së Kosovës, Komisioni për Miniera dhe Minerale, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore etj.