Lajme

Ri-inxhinjerimi i ZKK Vushtrri

Duke aspiruar ngritjen e kualitetit të shërbimeve të cilat Zyrat Kadastrale Komunale ofrojnë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka trajtuar secilën mënyrë për ofrimin e ndihmës adekuate për këto zyra. Kjo është arritur si përmes investimeve në trajnime për stafin Komunal që kryen punë kadastrale po ashtu edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta në ngritjen e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale nëpër Zyrat Kadastrale Komunale. Së fundmi Agjencia Kadastrale e Kosovës me përkrahje të Autoritetit Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi "Kartveket" ka financuar ri-inxhinjerimin e Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri. Si pjesë e investimeve të cilat janë mbuluar me projektin e ri-inxhinjerimit të Zyrës Kadastrale Komunale në Vushtrri janë punët renovuese, sistemi i ri i nxehjes, ventilimi ri, mbrojtja nga zjarri, arkivi, orenditë, dhe pajisjet e TI-së të cilat nevojiten për të siguruar një rrjedhë efikase të punës për stafin e Zyrës Kadastrale Komunale. Objektiv i ri-inxhinjerimit është që të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve dhe të përdoret organizimi i ri me zyrë pritëse/operuese dhe procedurat e standardizuara, në mënyrë që transaksionet të jenë më sistematike, efikase dhe transparente. Duke u nisur nga fakti që AKK deri më sot ka investuar në ri-inxhinjerimin e 20 Zyrave Kadastrale Komunale në territorin e Republikës së Kosovës, pritjet janë që edhe në Vushtrri të ngrihet kualiteti i shërbimeve, transparenca gjatë ofrimit të shërbimeve si dhe të përmirësohen kushtet gjatë ofrimit dhe shfrytëzimit të shërbimeve kadastrale si për punëtorët në këto zyra po ashtu edhe për qytetarët që u drejtohen atyre. Ndërsa, me datë 21 mars, me qëllim të monitorimit të aktivitete të përfunduara gjatë ri-inxhinjerimit në ZKK Vushtrri, kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti me bashkëpunëtore ka vizituar Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri  kanë vizituar zyrat subjekt i ri-inxhinjerimit. Gjatë inspektimin është konstatuar se kompania implementuese e projektit i është përmbajtur planit dinamik, ndërsa hapja ceremoniale e këtyre zyrave të reja pritet të bëhet gjatë muajit prill.

   


Regjistrimi u popullsisë, takim AKK - ASK

Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të mbarëvajtjes së aktiviteteve të saja, respektivisht parapërgatitjeve për regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, është duke bashkëpunuar me institucione të ndryshme të interesit përfshi edhe me Agjencisë Kadastrale të Kosovës, si administratore, prodhuese dhe shpërndarëse ndër më të mëdhatë të të dhënave gjeohapësinore. Për këtë arsye, me datë 26 mars, në ambientet e AKK-së është mbajtur takim mes kreut të AKK-së z. Avni Ahmetit, u.d Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe ekspertes ligjore në AKK z-njës Edona Kutllovci dhe z. Avni Kastrati, Drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale dhe Ramiz Ulaj, Drejtor i Departamentit të MTI-së pranë ASK-së.  Qëllimi i takimit ishte informimi më në detaje rreth sistemit të unifikuar të adresave, mundësive më të sigurta dhe sakta për shpërndarjen e adresave përmes ueb shërbimeve dhe rreth produkteve tjera kadastrale, pronësore dhe hartografike që do të mund të ndihmonin procesin e regjistrimit të popullsisë të cilin Agjencia e Statistikave e Kosovës parasheh ta implementojë gjatë vitit 2021. Në takim z. Ahmeti prezantoi gjendjen e adresave në Republikës e Kosovës, Komunave që kanë implementuar në tërësi sistemin e adresave, sfidat me të cilat AKK ballafaqohet gjatë implementimit të sistemit të adresave e ngjashëm. Po ashtu, përfaqësuesit e AKS u informuan edhe rreth avancimeve që i janë bërë Sistemit të Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovës,  Sistemin e Unifikuar të Ueb Shërbimeve Kadastrale e ngjashëm. Palët në fund të takimit erdhën në përfundim që takime  të tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa si përfitues nga një bashkëpunim i tillë do të ishin institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.


AKK, pjesëmarrje në Cisco Connect

Me qëllim të përcjelljes nga afër të zhvillimeve teknologjike, dhe trajtimin e mundësive për avancim të teknologjisë së informacionit në Agjencinë Kadastrale të Kosovës konform trendëve ndërkombëtare, një ekip ekspertësh të teknologjisë së informacionit pranë AKK-së, respektivisht z. Nehat Maçastena. Z. Besart Abazi dhe z. Besfort Thaçi janë duke marrë pjesë në Konferencën e 18-të Cisco-s, "Cisco Connect", që është një nga konferencat më të rëndësishme të IT në regjion që bashkon ekspertë relevantë në industrinë e TI-së. Përndryshe, tema e konferencës së sivjetme është "Vizioni Global, Njohuria Lokale". Qëllimi i kësaj konference është që të prezantohet teknologjitë të fundit digjitale të Cisco-s dhe trendet multidisiplinare që kombinojnë përvojat globale me specialistët regjional në mënyrë që të identifikohen dhe tejkalohen sfidat e një ambienti të biznesit modern.


Hyn në fuqi korniza e re e punës AKK Nr. 2019/1

Në kuadër të plotësim-ndryshimeve të Udhëzimeve Administrative si dhe pas analizave, diskutimeve dhe kontrollit të kualitetit të të dhënave nga terreni, ekspertët kadastral dhe ligjor të Agjencisë Kadastrale të Kosovës kanë ardhur në përfundim se duhet bërë avancimi edhe i Kornizave të punës të AKK-së, me qëllim të plotësimit të nevojave teknike, ligjore e profesionale për regjistrimin e pronës në kadastër. Rrjedhimisht, me qëllim të avancimit të kryerjes së punëve kadastrale nga Zyrat Kadastrale Komunale, nga gjeodetët e licencuar dhe kompanitë e licencuara gjeodete, ekspertët e AKK-së kanë përpiluar Kornizën e re për punë Nr. AKK 2019/01 e cila rregullon standardizimin  e matjeve kadastrale për krijimin e pronave të paluajtshme. Ndërsa e njëjta Kornizë pune e nënshkruan nga kreu i Agjencisë kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti me datë 29 Mars, 2019 hynë në fuqi menjëherë, duke zëvendësuar kështu Kornizën e punës Nr. AKK 2013/02 për standardizimin e matjeve dhe rilevimeve kadastrale.

Shkarko kornizën


Përmbyllja e programit të USAID-PRP

Me rastin e përmbylljes së Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore, Kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti i shoqëruar edhe nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe Zyrtarja për Barazi Gjinore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës z-nja Ibadete Rexhepi kanë marrë pjesë në ngjarjen përmbyllëse të këtij programi, ku janë prezantuar të arriturat e këtij programi gjatë pesë viteve të fundit si dhe është diskutuar se çfarë mbetet të bëhet tutje. Përndryshe, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me këtë program si në avancimin e legjislacionit që rregullon të drejtat pronësorë në Republikën e Kosovës, po ashtu edhe në çështjen e avancimit të të drejtës së gruas në të drejta pronësore. Po ashtu, njl projekt tjetër i suksesshëm i implementuar nga bashkëpunimi mes AKK dhe programit të USADI për të drejtat pronësore është edhe funskionalizimi i e-Kioskave në disa Komuna.