Lajme

AKK, takim me shoqatën e bankave

Në vazhdën e aktiviteteve dhe përkrahjes që Agjencia Kadastrale e Kosovës në vazhdimësi po i jep procesit të legalizimit të objekteve pa leje, sot në një takim të përbashkët me Shoqatën e Bankave të Kosovës u diskutua edhe mundësa e thjeshtësimit të procedurave dhe shkurtimit të kohës për legalizimin e objekteve që janë në prona të hipotekuara. Nga ana e AKK-së kjo çështje tashmë është trajtuar dhe për detaje tjera teknike e sqarime shtesë ligjore do jepen në takimin e radhës me përfaqësues ligjor të bankave dhe atyre të AKK-së, i cili do realizohet javën tjetër.
Kërkesë e institucioneve bankare ishte edhe mundësia e lehtësimit të procedures për regjistrimin, modifikimin dhe fshirjen e hipotekave, zhvillim ky që tashmë është realizuar nga ana e AKK-së dhe pritet implementimi nga ana e bankave në sistemet e tyre në një afat sa më të shkurtë kohor.
Me krijimin e kësaj lidhjeje mes Regjistrit të të drejtave pronësore dhe sistemeve bankare, procedura e regjistrimit, modifikimit dhe fshirjes së hipotekave do të thjeshtësohet shumë, do shkurtohet koha e azhurnimit dhe do ulet maksimalisht mundësia eventuale e gabimeve në regjistrimin e tyre.
Në takim Agjencia Kadastrale e Kosovës u përfaqësua nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti, u.d Drejtori i Drejtorisë pë Kadastër z. Korab Ahmetaj, ekspertet për kadastër z-nja Drenushë Januzaj dhe z-nja Leonora Sylejmani dhe eksperti i lartë ligjor z. Nadir Shyqeriu, ndërsa shoqata e bankave u përfaqësua nga z. Petrit Balija, z. Ramë Bajraktari dhe z. Kreshnik Kosumi të cilët u dakorduan që të vazhdohet bashkëpunimi mes dy institucioneve dhe takimet në të ardhmen të jenë edhe më të shpeshta.

AKK, takim me ekspertë të Bankës Botërore

Agjencia Kadastrale e Kosovës si organ kompetent për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për kadastër, gjeodezi e hartografi, për infrastukturë të informacioneve gjeohapësinore dhe për sistemin e unifikuar të adresave edhe gjatë kohës së masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID19, ka ushtruar mandatin e saj pa ndërprerë.
Pos ofrimit të shërbimeve për qytetarë dhe institucione, AKK ka përpiluar një varg dokumentesh profesionale me qëllim të implementimit të ndryshimeve që rezultuan nga reformat e ndërmarra ligjore, respektivisht nga hyrja në fuqi e udhëzimeve të reja administrative nga fusha e kadastrës, regjistrimit të pronës dhe sistemit të adresave.
Ndërsa, me qëllim të informimit të udhëheqësve dhe ekspertëve të projektit të Bankës Botërore për regjistrimin e patundshmërisë në kadastër dhe për infrastrukturën e informacioneve hapësinore me këto ndryshime dhe me përfitimet e qytetarëve nga to, Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së z. Avni Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij ka mbajtur një takim virtual me udhëheqësen e ekipit të Bankës Botërore, eksperten për admninistrim të tokës z-njën Anchal Aanand dhe me bashkëpunëtorët e saj.
Në takimin i cili kishte karakter teknik është disktuar për kornizën e punës 2020/1, për doracakun për rindërtimin e informacioneve kadastrale, doracakun për kadastrin e ndërtesave, udhëzuesin për regjistrimin e pronës në kadastër, etj. Ekspertët e Bankës Botërore kanë vlerësuar avancimet, duke vlerësuar shumicën prej tyre në nivel me vendet e zhvilluara dhe kanë ofruar edhe përkrahjen e tyre për tejkalimin e sfidave me të cilat eventualisht mund të ballafaqohen ekspertët e AKK gjatë implementimit të punëve në terren. Në takim po ashtu u diskutua edhe për punët tjera të ndërmarra gjatë pandemisë, hapat dhe projektet e para të planfikuara për implementim nga AKK pas kthimit në normalitet e ngjashëm.

Legalizimi, takim në AKK

Nën organizimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të USAID, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit), Zyrave Kadastrale Komunale në Komunën e Prishtinës dhe përfaqësuesve të Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës me datë 12 qershor në AKK është mbajtur takim për procesin e legalizimit, respektivisht qartësimi i disa procedurave për regjistrimin e objekteve të legalizuara në kadastër. Takimi kryesisht ka qenë i natyrës profesionale e teknike, me theks të veçantë mbarëvajtja e deritanishme e procesit të legalizimit kryesisht në Komunën e Prishtinës. Përmes debateve interaktive dhe gjithëpërfshirëse ekspertët e AKK-së të prirë nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti së bashku me ekspertët tjerë trajtuan rastet konkrete të cilat u ngritën nga zyrtarët e ZKK Prishtinë si trajtimi i shtëpive individuale me kërkesa për regjistrim me njësi pjesë e ndërtesës, kategorizimi në disa raste të veçanta për shtëpitë individuale, regjistrimi i hapësirave të përbashkëta etj. Takimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen varësisht prej sfidave me të cilat ballafaqohen institucionet përgjegjëse për legalizimin e objekteve pa leje. 


Udhëzuesi për procedurat e regjistrimit të pronës

Hyrja në fuqi e udhëzimeve të reja administrative për regjistrimin e pronës si dhe krijimi i kornizës së punës për matjen, krijimin dhe regjistrimin e njësive kadastrale ka pasur ndikimin shumëdimensional profesional e shoqëror. Këto reforma ligjore, profesionale e teknike avancuan administrimin e tokës, ngritën sigurinë e të drejtave pronësorë, ngritën kualitetin e produkteve dhe shërbimeve pronësoro-juridike, lehtësuan procedurat për regjistrimin e të drejtave pronësore, avancuan gjithpërfshirjen në shfrytëzim të të drejtave pronësore, shmangën burokracinë administrative, ngritën transparencën, minimizuan mundësitë për pagesa joformale e korruptive, e ngjashëm.  Njëherësh këto reforma ndikuan edhe në ndryshimin e qarkut të punës për ekspertët dhe teknikët e përfshirë në regjistrimin e të drejtave pronësore nëpër Zyrat Kadastrale Komunale, gjeodetët e licencuar, krejt me synim që të kemi një shërbim efikas dhe të drejtë, ku pala është gjithmonë dhe kudo në qendër të ofrimit të shërbimit publik. Me qëllim të unifikimit të procedurave për regjistrimin e pronës në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës e ka krijuar Udhëzuesin për procedurat e regjistrimit të pronës së paluajtshme në kadastër i cili ofron udhëzime dhe përgjigje të qarta për procedurat e regjistrimit të kategorive të ndryshme të të drejtave pronësore, përgjegjësitë e palëve të përfshira në procedurë (gjykata, noterë, gjeodetë etj.), afatet ligjore, organet vendimmarrëse dhe ato ankimore.

 

 


Një vit mandat, kryeshefi mban takim me personelin

Pas një mungese të gjatë në zyrat e punës si rezultat i vendimeve të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID 19 dhe me kthimin gradual në normalitet po ashtu në pajtueshmëri me vendimet e kërkesat e Qeverisë, Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti ka mbajtur një takim informues me personelin e AKK-së. Qëllimi i takimit ishte informimi mbi aktivitetet e marra gjatë kohës së masave që imponuan mungesë në punë, prezantimi i disa produkteve të krijuara në këtë periudhë si doracaku për rindërtim të informacioneve kadasrale, doracaku për kadastrin e ndërtesave, udhëzuesi për procedurat e regjistrimin të pronës në kadastër e ngjashëm. Po ashtu data e mbajtjes së takim korespondoi edhe me njëvjetorin e emërimit të z. Ahmeti në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të AKK-së, dhe me këtë rast Kryeshefi bëri një prezantim të të arriturave, sifdave dhe planeve të ardhshme dhe njëherësh falënderoi secilin nga ekspertët e AKK-së për kontributin e dhënë në realizim të projekteve të ndyshme.