lajme 2018

AKK, marrëveshje për bashkëpunim me Komunën Drenas

Me qëllim të harmonizimit të gjendjes pronësore në terren me atë në regjistrat zyrtar pronësorë, Agjencia Kadastrale e Kosovës është në përgatitje të fillimit të projektit të rindërtimit të informacioneve kadastrale në katër Komuna, respektivisht në Komunën e Vitisë, Kamenicës, Skenderajt dhe Drenasit. Për këtë arsye Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti me bashkëpunëtorë sot ka vizituar Komunën e Drenasit ku është pritur nga Kryetari i Komunës z. Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij. 

Qëllimi i takimit ishte informimi rreth projektit në tërësi dhe Zonave Kadastrale që do i nënshtrohen rindërtimit në këtë Komuna në veçanti, konkretisht Zona Kadastrale Arllat dhe Zona Kadastrale Shtuticë. Tema e interesit ishte njoftim i detajuar rreth fazave të projektit, përfitimeve që qytetarët e këtyre dy Zonave Kadastrale kanë nga implementimi i projektit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në implementim e ngjashëm. Në takim nga përfaqësuesit e dy institucioneve u ngrit nevoja e bashkëpunimit sa më të ngushtë gjatë të gjitha fazave të implementimit të projektit, e sidomos bashkëpunimi me banorët e zonave subjekt i rindërtimit, duke e ditur se vetëm me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në projekt i njëjti do të mund të rezultonte i suksesshëm. 
Z. LLadrovci nga ana e tij u zotua në përkrahjen institucionale e logjistike për zbatimin e projektit në fjalë, ndërsa edhe nga përfaqësuesit e Agjencisë kërkoi që pa pikë hezitimi të shtrojnë për diskutim të gjitha sfidat që mund të paraqiten gjatë implementimit të projektit. Po ashtu Kryetari i Komunës së Drenasit kërkoi informim sa më gjithëpërfshirës të qytetarëve rreth obligimeve që ata kanë gjatë fazave të implementimit të projektit, me qëllim të përfitimit maksimal të tyre, sidomos duke e ditur se aktivitetet e përfshira në Rindërtim kryhen pa pagesë.
Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës u zotua se bashkëpunimi nuk do të mungojë dhe garantoi që edhe Komuna edhe qytetarët do të kenë adresë të hapur për të ngritur të gjitha shqetësimet tyre, pa marrë parasysh a kanë të bëjnë me procesin e implementimit të projektit, apo me kualitetin e të dhënave që do të dalin si rezultat i projektit. Në fund të takimin përfaqësuesit e institucioneve përkatëse nënshkruan edhe Marrëveshjen për bashkëpunim për projektin e rindërtimit të informacioneve Kadastrale në Zonën Kadastrale Arllat dhe Shtuticë.


AKK, punëtori e prezantime në Helsinki

Me ftesë nga Autoriteti më i lartë për Gjeodezi dhe Kadastër në Finlandë, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti i shoqëruar nga eksperti i teknologjisë së informacionit në Agjenci z. Besart Abazi kanë qëndruar në Helsinki të Finlandës ku janë duke u zhvilluar disa aktivitete në fushën e inovacionit në administrimin e tokës në kuadër të "Smart Land Administration". Pos pjesëmarrësve të AKK-së në këto aktivitete janë duke marrë pjesë rreth 120 përfaqësues profesional të administrimit të tokës nga e gjitha bota të cilët përmes prezantimeve interaktive janë duke diskutuar vizionin dhe mundësitë për ngritjen e kualitetit të administrimit të tokës. Prezantimi i inovacioneve më të fundit teknologjike do të jetë një mundësi e mirë për përfaqësuesit e AKK-së të trajtojnë implementimin e tyre edhe në Republikën e Kosovës, krejt me qëllim të avancimit të shërbimeve dhe produkteve pronësore e Kadastrale që u ofrohen qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.


Profesorët e UPT, vizitë në AKK

Me qëllim të informimit më të detajuar rreth aktiviteteve të cilat po zhvillon Agjencia Kadastrale e Kosovës në fushën e regjistrimit të të drejtave pronësore, hartografisë, gjeoinformacionit dhe sistemit të adresave, profesorët nga Universiteti Politeknik i Tiranës z. Gëzim Gjata, z. Ejup Hamzaj dhe z. Bilbil Nurçe vizituan Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Avni Ahmeti me bashkëpunëtor. Gjatë diskutimeve dhe demonstrimeve në kohë reale të aktiviteteve dhe projekteve që në baza ditore zhvillon Agjencia Kadastrale e Kosovës, profesorët nga Universiteti Politeknik u njoftuan në detaje me mënyrën e mirëmbajtjes së regjistrave pronësorë, përfshi pjesën tekstuale dhe grafike, me Pozicionim Satelitor të Kosovës (KOPOS), me mënyrën e krijimit dhe mirëmbajtës së hartës topografike si dhe me sistemin e unifikuar të adresave. Pas këtyre prezantimeve, përfaqësuesit e institucioneve respektive e panë të nevojshëm bashkëpunimit sa më të gjerë kryesisht në rrafshin shkencor.  

 


Takim me shoqatën e bankave

Agjencia Kadastrale e Kosovës, në kuadër të zhvillimeve dhe avancimeve në fushën e teknologjisë së informacionit është duke e avancuar edhe aplikacionin për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë (SIKTK). Me qëllim të plotësimit të nevojave të palëve të ndryshme të interesit në fushën e regjistrave pronësorë, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka intensifikuar bashkëpunimin me institucione të ndryshme, para të cilëve ka prezantuar ndryshimet në SIKTK dhe përfshirjen e komenteve eventuale dhe nevojave të institucioneve të ndryshme. Për këtë arsye, me datë 26 nëntor në hapësirat e AKK-së është mbajtur takim mes ekspertëve të AKK dhe përfaqësues të bankave komerciale në Kosovë, përfshi Shoqatën e Bankave. Përmes prezantimeve interaktive janë pasqyruar të gjitha modulet e reja në SIKTK, si dhe janë identifikuar fushat në këtë sistem që për sektorin e bankave kosinderohen si të interesit, si dhe janë diskutuar mundësitë për përfshirjen e këtyre fushave në sistem, krejt kjo me qëllim të ngritjes së kualitetit të shërbimeve ofruar qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe për ngritjen e kualitetit të të dhënave dhe shpejtësisë së ofrimit të tyre.

 


BESTSDI, të arriturat dhe synimet

Nën organizimin e UBT, dhe me pjesëmarrjen e palëve të ndryshme të interesit në fushën e infrastrukturës së të dhënave gjeohapësinore, në mesin e të cilëve edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës përfaqësuar nga Kryeshefi ekzekutiv z. Avni Ahmeti dhe u.d Drejtor i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj, u mbajt takimi i i projektit "BESTSDI", në kuadër të programit Erasmus+. Punëtoria mblodhi përfaqësues nga të gjithë partnerët nga Evropa, si dhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës, të cilët së bashku diskutuan për të arriturat e deritashme të projektit, si dhe hapat që duhet të ndërmerren në vazhdim, me qëllim të përfundimit sa më të suksesshëm të projektit. Në fjalimin që shënoi hapjen e kësaj punëtorie, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dha informacione mbi historikun e krijimit dhe të rrugëtimit të suksesshëm të UBT-së për 17 vite, si dhe për kontributin e dhënë në kuadër të projektit "BESTSDI". "Nga themelimi e këtej, UBT ka mbajtur dhe promovuar qasjen transdisiplinare në sistemin e edukimit të lartë, prandaj ky projekt është i rëndësishëm për Kosovën dhe UBT-në sepse po krijon një platformë që mbështetet tek transdisiplinariteti", tha ai. Koordinatori i projektit "BESTSDI", Zeljko Bacic shfaqi një prezantim përmbledhës mbi punën e kryer nga 16 partnerët, në projektin që ai e koordinon. "Fokusi i projektit që po e jetësojmë së bashku është tek infrastruktura e të dhënave hapësinore, të cilat padyshim janë ndër pjesët kryesore të revolucionit digjital', shpjegoi ai. Bacic tregoi se si dy vite më parë, kur edhe është lansuar projekti, shumica dërrmuese e institucioneve arsimore në regjion nuk kanë pasur një sistem të tillë të të dhënave, por sipas tij, UBT nuk e ka zgjedhur rrugën e lehtë dhe po ndihmon në jetësim të projektit. "Jam i lumtur që një nga partnerët implementues është UBT. UBT nuk e ka zgjedhur mënyrën më të lehtë për të zhvilluar një institucion, pasi ka zgjedhur fushat STEM, që edhe paraqesin problem për mbledhjen e studentëve, megjithatë UBT e ka arritur qëllimin", vlerësoi ai. Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti ka shfaqur punën që po bën institucioni për përmirësimin e nivelit të të dhënave gjeohapësinore në Kosovë, si koordinues dhe implementues i infrastrukturës së të dhënave hapësinore (SDI) në Kosovë.  "Agjencia Kadastrale e Kosovës ka kryer disa aktivitete në kuadër të kësaj fushe, përfshirë krijimin e portalit për infrastrukturën e të dhënave hapësinore, duke qenë se për detyrë e ka shpërndarjen më të shpejtë, më të lehtë dhe më të mirë të të dhënave hapësinore deri tek institucionet tjera", shpjegoi ai, teksa shtoi se beson në vazhdim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm për të shënuar progres së kësaj fushe në vendin tonë. "E kemi krijuar strategjinë për NSDI (National Spatial Data Infrastructure) dhe kemi identifikuar institucionet që prodhojnë dhe përdorin informacione gjeohapësinore dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm, madje me disa edhe kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi për shkëmbim të të dhënave". Koordinatori lokal i projektit nga UBT, Blerton Abazi, përmes një prezantimi të punëtorisë, tregoi qëllimin, të arriturat, të ardhmen dhe rëndësinë e zhvillimit të SDI-së edhe në vijim, duke pasur në fokus UBT-në si partner në projekt. "UBT synon të bëjë rishikimin e kurrikulës në modulin dhe parimet e SDI-së në studime e punë, përfshirë sistemet e informacionit, fushën e ndërtimit, etj. Pastaj, si synim është krijimi i një programi të nivelit master të specifikuar për këtë fushë, si dhe mbajtjen e kurseve të reja, të cilat e kanë në fokus fushën e të dhënave gjeohapësinore", tregoi Abazi. Punëtoria për zhvillimin e mëtejmë të projektit "BESTSDI" do të vazhdojë edhe përgjatë dy ditëve të ardhshme. Projekti "BESTSDI" ka për qëllim adaptimin e kurrikulave aktuale, si dhe krijimin e kurrikulave të reja për infrastrukturën e të dhënave hapësinore, ndërkaq pjesë e projektit janë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përshirë edhe partnerë nga Bashkimi Evropian.