Vesti

Në gjeoportal edhe ortofotot urbane 2018

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka prodhuar ortofotot e reja për tërë territorin e Republikës së Kosovës me rezolucione të ndryshme, duke përfshirë rezolucionin 8cm për zonat urbane, rezolucioni 20 cm për zonat rurale, rezolucion 40cm për zonat malore dhe rezolucion 40cm për një gjerësi 200 m jashtë kufirit.  Përndryshe ortofotot e fundit në Kosovë ishin prodhuar në vitin 2012, andaj për shkak të ndryshimeve të shumta në terren ka qenë më se e nevojshme që të realizohet projekti i ri në vitin 2018. Objektivi kryesor i këtyre produkteve është të ofrojnë mbështetje në procesin e legalizimit të objekteve, planifikimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, mbrojtjen e ambientit, hidrografinë e demografinë, azhurnimin e hartës topografike, krijimin e hartave dhe skicave tematike të ndryshme si dhe shfrytëzimin e tokës në përgjithësi. Aktualisht në Gjeoportalin Shtetërorë të qasshme për secilin qytetarë janë 27 blloqe me ortofotot me rezolucion 8 cm për te gjitha zonat urbane në Republikën e Kosovës, ndërsa së shpejti pritet po në Gjeoportal të publikohen edhe ortofotot e të gjitha rezolucioneve të sipër përmendura të cilat janë në fazën e procesimit.

Linku për të parë ortofotot urbane të vitit 2018:

http://geoportal.rks-gov.net/search


Matoshi : Administrimi i tokës i njëjtë për secilin qytetar pa dallim gjinie, gjuhe apo etnie

Takohet Komiteti për Administrimin e Tokës

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës, në të cilën është diskutuar për të arriturat dhe sfidat që ka Agjencia Kadastrale e Kosovës si dhe u shpalosën rekomandimet e donatorëve për këtë agjenci.

Me këtë rast ministri Matoshi, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës njeh peshën e administrimit të tokës si nga aspekti i zhvillimit ekonomik po ashtu edhe nga aspekti i mirëqenies sociale për secilin qytetar të Republikës së Kosovës pa dallim gjinie, gjuhe apo etnie.

" Pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe agjencive të saj vartëse ofron tërë potencialin e saj në avancim të administrimit të tokës, duke u përpjekur të ndjek trendët në shtetet e zhvilluara përmes avancimit të legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve profesionale, avancimit të teknologjisë së informacionit dhe përmes investimeve kapitale", tha Matoshi.

Ministri Matoshi tha se rezultatet e kësaj përkrahjeje kanë qenë konkrete dhe të prekshme si për qytetarët po ashtu edhe për institucionet.

" Tatimi i tokës, sistem i unifikuar i adresave, regjistra të sigurt pronësorë, investime në bujqësi, mjedisit më i shëndetshëm,  infrastrukturë e zhvilluar rrugore, shkëmbin më i shpejtë e me i sigurt i të dhënave, ofrimi i shërbimeve të ndryshme publike janë disa nga fushat ku po shënohet avancim konkret", deklaroi Matoshi.

I pari i MMPH-së, u ofroi mbështetje Agjencisë Kadastrale të Kosovës ndërsa tha se çdo rekomandim i tyre dhe i donatorëve ndihmon dhe lehtëson politik-bërjen dhe vendimmarrjen.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të akterëve, është një strategji e qartë dhe e nevojshme gjatë zhvillimit të administrimit të tokës  në Republikën e Kosovës.

"Administrimi i tokës po hynë në një fazë më dinamike. Kjo fazë dhe dinamikë kërkon nga ne që të ndryshojmë shumëçka si në aspektin e koordinimit të aktiviteteve, të avancimit profesional, të avancimit të legjislacionit, të shërbimeve, të ofrimit të produkteve me kualitet sa më të lartë, ngritjen e kualitetit të të dhënave ekzistuese, avancimin në mënyrën e shpërndarjes së të dhënave si dhe avancimin në aspektin e teknologjisë informative", deklaroi Ahmeti.

Pjesë e takimit të Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës ishin edhe Ministri i Ministrisë së Administratës Publike z. Mahir Jagcilar, Zv.Ministri i Ministrisë së Drejtësisë z.Fadil Nura, Zv. Ministri i Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Mevludin Krasniqi, Zv. Ministri i Ministrisë së Financave z. Hyzer Gashi, Zv. Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Beqir Abdullahu si dhe donatorët si Banka Botërore, Kartverket (Norvegji), USAID, JICA, GIZ, UN HABITAT, Zyra e BE-së në Kosovë, etj, të cilët vlerësuan se Draft Ligji për Kadastër duhet të miratohet si i tillë për shkak se parasheh transparencë në të dhëna.  Po ashtu, ata vlerësuan se është e domosdoshme që Kosova, në një të ardhme të afërt, të ketë sistemin adresave nëpër gjitha komunat e Republikës së Kosovës.


AKK pret donatorët

Me qëllim të koordinimit të donatorëve të përfshirë në administrimin e tokës në përgjithësi, si dhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës në veçanti, me datë 10 prill 2019 në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur takimi i rregullt i donatorëve.  Qëllimi i këtij takimi është koordinimi i aktiviteteve të ndryshme të donatorëve dhe përkrahësve të AKK-së me qëllim të ngritjes së shkallës së transparencës, shmangien e mundësive për duplifikimin të projekteve, diskutim mbi rezultatet e projekteve të arritura si dhe diskutim rreth sfidave me të cilat ballafaqohet administrimi i tokës. Në takimin e udhëhequr nga kreu i AKK-së z. Avni Ahmeti, përmes prezantimeve profesionale u prezantuan në detaje të arriturat e AKK-së ndërsa fokus i veçantë iu kushtua projekteve të ardhshme të AKK-së të parapara për tu realizuara si përmes financimit të buxhetit të Republikës së Kosovës po ashtu edhe përmes financimit nga projekti REGIP i Banka Botërore dhe donatorëve nga autoriteti norvegjez për kadastër dhe hartografi "Kartverket" dhe nga JICA japoneze. Ndërsa si sfida që duhen tejkaluar me qëllim të realizimit të suksesshëm të projekteve u ngrit nevoja për shtim të numrit të punëtorëve profesional në AKK dhe shtyrja para e ligjit të ri për kadastër i cili do të ristrukturonte sistemin kadastral në Kosovë.  Përndryshe në takim morën pjesë përfaqësues të Bankës Botërore, JICA-s japoneze, "Kartverketit" norvegjez, GIZ-it gjerman, etj.

 

 

 

 


Kryetari i Komunës Skenderaj viziton AKK-në

Me qëllim të ngritjes së shkallës së bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët mes institucioneve respektive, një delegacion i Komunës së Skenderajt i kryesuar nga Kryetari i Komunës z. Bekim Jashari shoqëruar nga Drejtoresha e Kadastrës në Komunën e Skenderajt, z-nja Sandra Fazliu, vizituan Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku mbajtën një takim pune me prijës dhe ekspertë të Agjencisë. Në takimin e udhëhequr nga kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, tema kryesore e diskutimit ishte rreth aktiviteteve në lidhje me azhurnimin e elaborateve të vjetra për shpronësim, për nevoja të magjistrales Drenas – Skenderaj si dhe rreth Rindërtimit të Informacioneve Kadastrale në disa Zona kadastrale në këtë Komunë. Sa i përket shpronësimit,  Agjencia Kadastrale e Kosovës, si ishte zotuar më parë, elaborate i ka futur në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë. Ndërsa, Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale është duke u zhvilluar sipas planit dinamik, pas fazës së parë të informimit të qytetarëve me procesin dhe benefitet nga RIK, aktualisht janë duke i zhvilluar matjet në terren.


Përmbyllja e programit të USAID-PRP

Me rastin e përmbylljes së Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore, Kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti i shoqëruar edhe nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe Zyrtarja për Barazi Gjinore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës z-nja Ibadete Rexhepi kanë marrë pjesë në ngjarjen përmbyllëse të këtij programi, ku janë prezantuar të arriturat e këtij programi gjatë pesë viteve të fundit si dhe është diskutuar se çfarë mbetet të bëhet tutje. Përndryshe, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me këtë program si në avancimin e legjislacionit që rregullon të drejtat pronësorë në Republikën e Kosovës, po ashtu edhe në çështjen e avancimit të të drejtës së gruas në të drejta pronësore. Po ashtu, njl projekt tjetër i suksesshëm i implementuar nga bashkëpunimi mes AKK dhe programit të USADI për të drejtat pronësore është edhe funskionalizimi i e-Kioskave në disa Komuna.