Vesti

AKK, vazhdon bashkëpunimi me JICA

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka marrë përgjigje pozitive për fillimin e realizimit të projektit për gjeneralizimin e hartave topografike me shkallë të vogla, i cili do të përkrahet nga JICA. Për këtë projekt të cilin AKK e ka konsideruar si të rëndësisë së madhe, pranë JICA-s është aplikuar gjatë vitit 2018 ndërsa përgjigja pozitive ka ardhur në fillim të këtij viti. Projekti parasheh edhe trajnimin e ekspertëve të AKK-së për gjeneralizimin e hartave topografike, dhe për këtë arsye një ekspert tani më i kontraktuar mga ana e JICA-s do të qëndrojë në AKK në tre periudha. E para është planifikuar nga 3 shkurt deri në 8 mars 2020. E dyta do të jetë qershor-korrik, e treta do të jetë korrik deri në gusht. Përndryshe, AKK dhe JICA edhe në të kaluarën kanë pasur bashkëpunim të frytshëm, si rezultat i të cilit edhe është zhvilluar harta topografike 1:25.000 për tërë territorin e Republikës së Kosovës.


AKK, takim me FSK

Agjencia Kadastrale e Kosovës si organ kompetent për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë në baza të rregullta mban takime me palë të ndryshme të interesit. Në vazhdën e këtyre takimeve, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti, i shoqëruar edhe nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj,  mbajti një takim pune me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes respektivisht me Drejtoreshën Ligjore pranë kësaj Ministrie z-nja Krenare Sogojeva Dermaku dhe me Drejtorin e Logjistikës z. Mentor Zejnullahu. Pos shkëmbimit të informacioneve të përgjithshme rreth aktiviteteve të institucioneve respektive, boshti i takimit ishte rreth gjendjes aktuale të pronave në të cilat është e vendosur FSK, njoftimi për pronat e ish armatës e të cilat mund të jenë në interes të FSK-së dhe hapat ligjorë e procedural që duhet ndërmarrë  për regjistrimin e këtyre pronave në emër të FSK e ngjashëm. Në fund të takimit Kryeshefi i AKK-së ofroi ekspertizë ligjore për çështjet e ngritura dhe së bashku u vendos që takimet e tilla të mbahen edhe në të ardhmen.


AKK, vizitë në Komunën e Pejës

Agjencia Kadastrale e Kosovës, si rezultat i reformave të ndërmarra ligjore, ka sjell në fuqi 11 udhëzime të reja administrative nga fusha e kadastrës, regjistrimit të pronës dhe sistemit të unifikuar të adresave. Ndërsa disa nga këto udhëzime administrative kanë pasur ndikim edhe në kryerjen e punëve kadastrale nga Zyrat Kadastrale Komunale. Për këtë arsye, me ftesë të Kryetarit të komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxhiri, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i shoqëruar nga u.d Drejtori i Drejtorisë për Kadastër z. Korab Ahmetaj dhe Eksperti i Lartë Ligjor z. Bashkim Shaqiri kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në këtë Komunë. Theks kryesorë në takim kishte ndarja dhe bashkimi i parcelave në zonat urbane dhe rurale bazuar ne udhëzimet e reja administrative, trajtimi i parcelave të krijuara që shfrytëzohen si rrugë, ndërrimi i destinimit të tokës. emërtimet e rrugëve të reja e ngjashëm. Në takim, Kryeshefi i AKK-së informoi si z. Muhaxherin po ashtu edhe ekspertët nga kjo Komunë mbi çështjet e ngritura. Po ashtu, ekspertët e AKK-së ofruan përkrahje me tërë kapacitetet profesionale në rastet kur do të ketë nevojë për një gjë të tillë. Po ashtu, si konkludim i dyanshëm nga takimi ishte nevoja për vazhdim të bashkëpunimit përmes monitorimit të punëve të Zyrës Kadastrale Komunale dhe përmes shkëmbimit të ekspertizave profesionale e ligjore.


AKK, mbahet takimi i menaxhmentit

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka filluar me aktivitetet e saja të parapara për vitin 2020, dhe për këtë qëllim me datë 13 janar Kryeshefi Ekzekutiv i AKK-së z. Avni Ahmeti ka mbajtur një takim pune me drejtorët e drejtorive të AKK-së. Temë e takimit ishte shqyrtimi i të arriturave gjatë vitit 2019 si dhe planifikimi i detajuar i aktiviteteve që AKK pritet të ndërmerr gjatë vitit 2020, me theks të veçantë implementimin e projekteve të parapara dhe ndërmarrja e reformave në kadastër. Po ashtu, në takim secili prej drejtorëve përmes diskutimeve interaktive paraqiti planet për vitin 2020, si dhe u  identifikuan sfidat me të cilat pritet të ballafaqohen këtë vit dhe mjetet për tejkalimin e sfidave. Ndërsa rëndësi të veçantë iu kushtua aktiviteteve të parapara për muajt e parë të vitit 2020, respektivisht licencimi i gjeodetëve, monitorimi i punës së Zyrave Kadastrale Komunale dhe draftimi i termave të referencës për projektet e parapara. Në përfundim të takimit u theksua se këtë vit duhet të u kushtohet rëndësi e madhe ngritjes së kualitetit të të dhënave, hapjes së të dhënave, avancimeve ligjore që kryesisht kanë të bëjnë me shtyrjen para të ligjit të ri për kadastër dhe Ligjit për IKIH e ngjashëm.  


Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi mes AKK dhe DTP

Me qëllim të ofrimit sa më kualitativ dhe më të shpejtë të të dhënave kadastrale dhe pronësoro-juridike mes institucioneve respektive, duke përmendur edhe fakti se kjo shënon herën e parë që një institucion publik merr të dhënat kadastrale përmes ueb shërbimeve, pa përdorur mjete tradicionale si CD, letër, ose përmes emailit, Agjencia Kadastrale e Kosovës respektivisht Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë z. Avni Ahmeti ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Departamentin për Tatim në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave për ofrimin e të dhënave për qëllime të tatimit në pronë. AKK përmes këtij memorandumi zotohet të siguroj qasje për shikim dhe marrje të informatave në Regjistrin e të dhënave Kadastrale – SIKTK, pa pagesë për Departamentin e Tatimit në Pronë, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-194 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet Nr. 03/L221 Dhe Nr. 04/L-116, neni 16 i këtij ligji, përkatësisht nenit 32 të Ligjit bazik, i shtohet paragrafi 3, ku thuhet se: "Pavarësisht nga paragrafi 1. i nenit 32 të ligjit bazik, Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) do të ofrojë falas të gjitha të dhënat/informatat, në formatin elektronik dhe fizik, që kërkohen nga Ministria e Financave dhe çdo institucion tjetër shtetëror, që do të shfrytëzohen për tatimin në pronë, vlerësimin e pronës sipas zonave kadastrale dhe parcelave". Qasje të tillë DTP do të ketë në të gjitha të dhënat kadastrale në formatin elektronik përmes ueb-shërbime, duke përfshirë shfrytëzimin e bazës elektronike të të dhënave tekstuale për tërë territorin e Kosovës që mbahen nga AKK-ja, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes. AKK do t'i siguroj të dhënat kadastrale përmes ueb shërbimeve duke shfrytëzuar bazën elektronike të sistemeve digjitale, ndërsa Departamenti i tatimit në pronë garanton që të dhënat që i merr-shikon janë konfidenciale dhe si të tilla do të përdorën vetëm për qëllime të këtij memorandumi.