Vesti

Vazhdon trajnimi me ZKK

Me qëllim të ngritjes së nivelit të administrimit të regjistrave pronësorë për nga pikëpamja e sigurisë, kualitetit dhe mënyrës së shpërndarjes së të dhënave, AKK ka avancuar  Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë (SIKTK) me module shtesë të cilat kanë avancuar edhe vetë mënyrën e kryerjes së punëve nga operatorët nëpër Zyrat Kadastrale. Agjencia Kadastrale e Kosovës ka avancuar SIKTK-në kah arkitektura e orientuar në shërbime, ndërsa për aftësimin e personelit të Zyrave Kadastrale Komunale për të iu përshtatur ndryshimeve që kanë rezultuar nga ky avancim, për disa ditë me rradhë ekspertë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës janë duke mbajtur trajnime me zyrtarët komunal. Trajnimet janë interaktive, ku përpos prezantimit të moduleve, në kohë reale janë prezantuar edhe modulet shtesë dhe administrimi i tyre.


Adresat, kontroll i kualitetit

Agjencia Kadastrale e Kosovës në bashkëpunim me Autoritetin Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi "Kartverket" për nevoja të kompletimit të sistemit të adresave është duke e implementuar projektin për vendosjen e shtyllave me emra rrugësh në katër Komuna të Republikës së Kosovës, respektivisht në Komunën e Klinës, Pejës, Kamenicës dhe Gjilanit. Ndërsa me qëllim të monitorimit të aktiviteteve të parapara me projekt, një ekip ekspertësh nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, respektivisht Menaxheri i Projektit z. Besmir Veselaj dhe eksperti i GIS-it z. Qazim Sinani, kanë vizituar Komunën e Gjilanit, ku janë pritur nga Drejtori i urbanizmit në këtë Komunë z. Bekim Bajrami me bashkëpunëtorë. Në takim janë diskutuar sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar gjatë implementimit të projektit, janë identifikuar mjetet për tejkalimin e sifdave e ngjashëm. Në përgjithësi, është konstatuar se projekti është duke u zbatuar konform planeve dinamike, dhe i njëjti do të implementohet suksesshëm brenda aftëve të parapara.

 

 


AKK, takim pune me UN-HABITAT

Agjencia Kadastrale e Kosovës në vargun e zgjerimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve, si me institucione publike po ashtu edhe me organizata ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës, ka mbajtur takim me përfaqësues të Zyrës së UN HABITAT në Republikën e Kosovës, respektivisht me z-njën Gwendoline Mennetrier dhe bashkëpunëtorin e saj në këtë zyre, z. Visar Saliu. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i aktiviteteve nga dyja institucionet në fushën e administrimit të tokës, si dhe identifikimi i interesave të përbashkëta ku ky bashkëpunim do të mund të thellohej. Duke marrë parasysh faktin se Zyra e UN HABITAT në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë është zhvilluar një projekt mjedisor në 7 komuna të Republikës së Kosovës, përfshi edhe Komunat Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, z-nja Gwendoline prezantoi përvojat dhe sfidat në implementimin e këtij projekti në këto tre komuna, që vijnë si pasojë e mungesës së shtrirjes së disa institucioneve të Republikës së Kosovës në këto Komuna, përfshi edhe mungesën e zyrave funksionale kadastrale. Ndërsa, nikoqiri i këtij takimi, kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti pas prezantimit të projekteve dhe aktiviteteve të implementuara nga ky institucion, prezantoi edhe përpjekjet për funksionalizimin e Zyrave Kadastrale Komunale në këto tre Komuna, që deri sot kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të rezistencës dhe ndikimit të shtetit serb në ato Komuna.  Sidoqoftë, z. Ahmeti shprehi interesimin e tij për shtrirjen e autoritetit kadastral në ato Komuna, shprehi gatishmërinë për ofrimin e trajnimeve dhe pajisjeve të TI-së në momentin e parë kur këto Komuna shprehin interesim të veprojnë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Po ashtu, z. Ahmeti theksoi se nga funksionalizimi i Zyrave Kadastrale Komunale në këto Komuna, përfitues kryesorë do të ishin vetë qytetarët e këtyre Komunave të cilit fatkeqësisht sot nuk mund të gëzojnë benefitet nga një pronë e regjistruar në kadastër. Palët u pajtuan që takimet e tille të vazhdojnë edhe në të ardhmen,  krejt me qëllim që të njëjtat të rezultojnë me ofrimin e shërbimeve dhe produkteve autoritative kadastrale dhe pronësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.


AKK, takim me Drejtorinë e Urbanizmit

Agjencia Kadastrale e Kosovës, respektivisht kreu i saj z. Avni Ahmeti është duke zhvilluar një varg takimesh me palë të ndryshme të interesit, qëllimi i të cilave është ngritja e kualitetit të shërbimeve dhe produkteve që institucionet u ofrojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, me datë 18 mars në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur takim mes Drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës z. Ardian Olluri me bashkëpunëtorët z. Kushtrim Domaneku dhe z. Zejnulla Rexhepi. Ndërsa konkretisht në takim u diskutua rreth mundësive për lehtësimin e pajisjes për leje ndërtimore dhe evidentimit të lejeve ndërtimorë në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë. Agjencia Kadastrale e Kosovës o zotua në trajtimin e kërkesave që erdhën nga Drejtoria për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës, ofroi përkrahje profesionale në fushat që janë nën mandatin e saj, ndërsa palët u pajtuan që takimet e ngjashme në rrafshin profesional të vazhdojnë mes ekspertëve të institucioneve respektive.


Vijojnë trajnimet intensive për ZKK

Si rezultat i avancimit të aplikacionit për administrimin e të dhënave kadastrale dhe pronësoro juridike në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Sistemit të Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë (SIKTK), ka ardhur edhe deti te ndryshimi i mënyrës për administrimin me këtë aplikacioni.  Ndërsa, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të operatorëve me SIKTK në Zyrat Kadastrale Komunale (ZKK), Agjencia në baza të rregullta mban trajnime me operatorët e Komunave. Kështu, me datë 18 mars, trajnimit i janë nënshtruar operatorët e SIKTK-së në Komunat Dragash, Drenas, Deqan, Istog, Graqanicë dhe Kamenicë.